Studimi: Një në pesë fëmijë është viktimë e bulizmit në shkolla

screenshot-2_1491922213-5774687

Një në pesë nxënës në shkollat shqiptare është i prekur nga bulizmi. Këto janë rezultatet e studimit të parë mbi bulizmin të realizuar nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Studimi i realizuar në 141 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare të vendit e rendit Shqipërinë në listën e vendeve me nivelet më të larta të këtij fenomeni që sjell pasoja të rënda në shëndetin mendor të fëmijëve.

Çfarë është bulizmi?

Një prej përkufizimeve të pranuara gjerësisht për bulizmin është dhënë nga studiuesi australian Ken Rigby.

Bulizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike.

Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bulisti.

Këto karakteristika e bëjnë bulizmin jo vetëm një sjellje të dhunshme atipike dhe shumë specifike në raport me lloje të tjera të dhunës në shkollë, por gjithashtu edhe shumë të vështirë për t’u identifikuar si e tillë.

Studimi: Format më të përhapura të bulizmit në Shqipëri

Sipas studimit forma më e përhapur e bullizimit është ai psikologjik me 45%, pasuar nga ai verbal me 37% dhe fizik me 33%. Ndër arsyet kryesore të dhunës mësuesit rendisin pamjen e jashtme, mbipeshën dhe vështirësitë në të folur.  Më shqetësues paraqitet fakti se në 18% të rasteve bulzimi ndodh kur mësuesit janë në klasë.

Gjuha e urrejtjes është një tjetër fenomen shqetësues sipas studimit të KE. Një në pesë nxënës dhe një në tetë mësues përdorin gjuhë urrejtje që përkrah ose nxit dhunën.

50% e mësuesve të pyetur pohojnë se nuk ekziston asnjë politikë specifike kundër fenomenit të bulzimit në shkolla. Pjesa më e madhe e mësuesve,mbi 70%, kanë thënë se nuk janë trajnuar për ta parandaluar këtë dukuri.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest