Studim/ Ngacmimi moral dhe seksual në administratën publike

Igli-Totozani-1

Institucioni i Avokatit të Popullit prezantoi gjetjet e studimit “Ngacmimi moral dhe seksual në administratën publike”.  Sipas studimit, është shqetësues fakti se deri më tani jurisprudenca e gjykatave në këtë drejtim mungon pothuajse plotësisht. Rastet e ngacmimit seksual janë shumë të pakta, ndërsa ato të ngacmimit moral janë më tepër të lidhura me kërkesat për dëmshpërblim për dëmin moral.

Nga sondazhi rezultoi se një pjesë e madhe e punonjësve në administratë kanë njohje të ulët lidhur me ngacmimin moral, por edhe janë ngurrues e kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale. 27,5% e të anketuarve kanë thënë se nuk do të denonconin për shkak të pasojave që mund ti vijnë familjes, 20% nga mungesa e besimit tek institucionet publike dhe 15% e tyre për shkak të përhapjes së opinionit të keq në publik.

Sa i përket pyetjes nëse kanë pasur një eksperiencë personale lidhur me ngacmimin moral në 3 vitet e fundit, 75% e të anketuarve janë përgjigjur jo, 7.5% janë ngacmuar çdo vit në 3 vitet e fundit dhe 17.5% e tyre deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë për të njëjtën periudhë kohore.

Totozani tha se me anë të këtij studimi synohet që të hidhet dritë mbi gjendjen aktuale të ngacmimit moral dhe seksual në administratën publike.

“Ky është një hap i parë, i cili do të duhet të shoqërohet me veprime konkrete nga institucionet shtetërore, por duhet të ndiqet me po aq seriozitet edhe nga ato institucione shtetërore që monitorojnë bizneset private, në mënyrë që të merren të gjitha masat institucionale dhe organizative për t’u përballur me këtë gjë. Ngacmimi moral është një dhunë, e cila sjell pasoja të pallogaritshme në shëndetin psikik dhe psikologjik ndaj individit. Ai reflekton edhe dhunën në familje, ndaj marrja e masave për parandalimin dhe ndëshkimin e tij do të ndikojnë pozitivisht edhe në reduktimin e dhunës në familje dhe forcimit të integritetit të gruas”, u shpreh Igli Totozani. /m.g/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest