Organizata Botërore e Shëndetit: Mbi 300 milionë njerëz në botë vuajnë nga depresioni

depression-lets-talk-from-who-1-638

Sipas vlerësimeve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit, më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën vuajnë nga depresioni, një rritje prej më shumë se 18% nga periudha 2005 – 2015. Mungesa e mbështetjes për personat me probleme të shëndetit mendor, ka përkeqësuar aksesin në trajtimet e duhura për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Gjetjet e fushatës një vjeçare të OBSH-së “Depression: Let’s talk” (Depresion: Le të flasim), që janë bërë publike disa ditë para Ditës Botërore të Shëndetit – 7 prill, tregojnë se depresioni është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe paaftësisë për të jetuar.

OBSH ka gjetur lidhje të forta mes depresionit dhe sëmundjeve të ndryshme. Depresioni rrit rrezikun e sëmundjeve të diabetit, të zemrës etj. Po ashtu depresioni shihet si faktori më i rëndësishëm për vetëvrasjet, duke marrë qindra mijëra jetë njerëzish çdo vit.

Drejtuesja e përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, ka thënë se këto shifra janë një “thirrje për tu zgjuar” për të gjitha shtetet që të ri-mendojnë qasjet e tyre ndaj shëndetit mendor dhe të gjejnë zgjidhje për trajtimin e këtyre rasteve sa më shpejt të jetë e mundur.

Studimi thotë se është shumë e nevojshme rritja e investimeve. Aktualisht në vendet me ekonomi të zhvilluar, vetëm 5% e buxheteve të shëndetësisë investohet për shëndetin mendor, ndërsa në vende më pak të zhvilluara shifrat bien në më pak se 1% të buxheteve. /m.g/

Burimi: World Helath Organization

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest