Ballkani nën kërcënimin e “Fake News”; Sa imune është Shqipëria nga lajmet e rreme?

fakenews

Çfarë janë “fake news”?

Termi “Fake news” nisi të diskutohej gjerësisht në median ndërkombëtare gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Që nga ajo kohë lajmet e rreme të shpërndara në rrjetet sociale janë kthyer në temë debati dhe po shihen si kërcënim në shumë vende perëndimore.

Websitet e “Fake news” (lajmeve të rreme) publikojnë dhe shpërndajnë propagandë, mashtrim dezinformacion, shpesh duke përdorur median sociale për të amplifikuar efektin e tyre në opinionin publik, në favor të përfitimeve të caktuara ekonomike apo politike.

Rachel Maddow, një nga gazetaret më të vlerësuara të rrjetit amerikan MSNBC, prej kohësh po investigon mbi burimin e valës së “fake news” që është gjithnjë në rritje.

1-SxPqDct83Ljp6Ux1YiDY6w
Raporti i interaktivitetit në Facebook mes “Fake News” dhe lajmeve reale ariti thuajse 50/50 përpara zgjedhjeve presidenciale në Amerikë

Pak kohë më parë Maddow intervistoi diplomatin Daniel Fried, një njeri me mbi 40 vite eksperiencë në diplomacinë amerikane (i larguar nga administrata pas ardhjes së Trump) i cili paralajmëroi se “fake news” nuk janë vetëm një problem Amerikan. Fried tha se Rusia është duke sulmuar jo vetëm Amerikën, por gjithë institucionet e Perëndimit duke përdorur një shumëllojshmëri mjetesh.

“Rusët po përpiqen të minojnë besimin mbi Perëndimin dhe institucionet e tij, duke krijuar dyshime mbi NATO dhe Bashkimin Evropian.  Këtë po e bëjnë duke mbështetur nacionalistët e djathtë ashtu si Sovjetikët mbështesnin komunistët e majtë. Duan të dobësojnë Perëndimin dhe të krijojnë një atmosferë ku të gjithë ne të ndihemi të pasigurt”, tha diplomati Daniel Fried në “The Rachel Maddow Show”.

Në emisionin e 21 marsit, Rachel Maddow risolli në vëmendje deklaratën e Andrey Krutskikh, këshilltari i Presidentit rus Vladimir Putin për Luftën Kibernetike, i cili tha në shkurt të vitit të kaluar se shërbimet e inteligjencës ushtarake ruse kishin zhvilluar të ashtuquajturën “bomba atomike” e informacionit.

A janë lajmet e rreme “bomba atomike” me të cilën Rusia kërkon të ripozicionojë ndikimin e saj në Ballkan?

Ndërsa në shumë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor rritja e tensioneve, destabilitetit politik dhe konflikteve të brendshme përkon me rritjen e valës së portaleve që publikojnë “fake news”.

Rritja e tensioneve dhe retorikës nacionaliste mes liderëve politikë të Serbisë dhe Kosovës përkon me shtimin e numrit të portaleve që qarkullojnë “fake news”. Tituj të ribotuar nga mediat serbe publikojnë lajme ku flitet për mundësi ndërhyrjesh ushtarake në Kosovë apo instalim të sistemeve të mbrojtjes ajrore Ruse në Serbi. Tendenca e lajmeve të publikuara është qartësisht kundër NATO-s dhe BE-së, por burimet dhe vërtetësia e tyre është shpesh e paqartë.

Bulldozers demolish a wall following weeks of tensions between Kosovo and Serbia, in the ethnically divided town of Mitrovica, Kosovo February 5, 2017. REUTERS/Hazir Reka
Treni me mbishkrimet nacionaliste dhe muri në Mitrovicë, dy nga shkaqet e ashpërsimit të toneve mes Serbisë dhe Kosovës

Ndërsa në Mal të Zi tensionet mes Qeverisë pro-Perëndimore dhe opozitës pro–Ruse vazhdojnë të rriten në një kohë kur vendi bëhet gati për tu bërë pjesë e NATO-s.  Madje vitin e kaluar zyrtarë të BE deklaruan se rusët u përpoqën të nxisin një grusht shteti për të ndaluar anëtarësimin malazez në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Bosnja është përfshirë nga një vale “fake news” nga media “Russia Today” dhe “Sputnik” ku thuhej se Perëndimi planifikon të eliminojë Mirolav Dodik, udhëheqës i “Republika Srpska” i njohur për afrimitetin e tij me qeverinë Ruse.

Ndërkohë jeta politike në Maqedoni vazhdon të jetë e bllokuar. “Platforma Shqiptare” është bërë shkak që presidenti Ivanonv të bllokojë formimin e Qeverisë mes kreut të opozitës Zaev dhe LSMD-së së Ali Ahmetit.  Ky ngërç politik është forcuar edhe më shumë nga një fushatë keqinformimi dhe “fake news” që raportojnë se Bashkimi Evropian po përpiqet të krijojë “Shqipërinë e Madhe”, lajme të cilat përpiqen të përshkallëzojnë konfliktin etnik në Maqedoni.

Ku qëndron Shqipëria në këtë situatë?

Kriza politike mes opozitës në çadër dhe mazhorancës në Parlament, rritja e tensioneve brenda koalicionit qeverisës, presioni ndërkombëtar për miratimin e reformës në drejtësi tregojnë atmosferën e destabilitetit me të cilën Shqipëria po i afrohet datës së zgjedhjeve.

Në këtë periudhë protestash dhe ashpërsimi të toneve mes partive, jemi bërë dëshmitarë edhe të një fenomeni të ri në diskursin politik shqiptar, futja në retorikë e një fryme anti-Perëndimore.

Kjo frymë ka nisur që me lajmet për skandalin e vilës së ambasadores së BE Romana Vlahutin, duke vazhduar më tej me një lumë akuzash të ndërsjella mes palëve për anti-Amerikanizëm, takime me ambasadorin Rus dhe etiketimi si “bullshit” (gjepura) nga çadra e protestës për deklaratat e shefes së politikës së jashtme të BE, Frederika Mogherini.

E gjithë kjo situatë, përfshirë zhvillimet e fundit në Shqipëri, flet për një rikthim të krizës në Ballkan. Në shumësinë e problemeve specifike të secilit vend kriza ka një karakteristikë të përbashkët, uraganin e “fake news” që amplifikon tensionet, konfliktet dhe rritjen e frymës ekstremiste.

Sa imune është Shqipëria, në këtë situatë që po kalon, nga mundësia e ndikimit përmes fushatave të Fake News?
Një shembull që tregon sa lehtësisht mediat shqiptare u kthyen në amplifikatorë të “fake news”

Lajmi për zhdukjen e 1400 kontenierëve me mbetje të rrezikshme është shembulli tipik i krijimit dhe përhapjes së një “fake news”. Artikulli i publikuar nga “Pianeta Italia News”(portal i hapur 3 muaj më parë), u ripublikua në portalet shqiptare pa u verifikuar. Ndërkohë ky lajm është injoruar nga shtypi italian, me përjashtim të gazetës “Roma” një e përditshme e vogël e Napolit që në portalet shqiptare u paraqit si gazeta kryesore e kryeqytetit italian.

titujt
Tituj të poraleve shqiptare ku thuhet se CNN grek ka zbuluar 5 qytetet ku fshihen lëndët kimike të groposura

Pak ditë më pas, lajmi u rikthye sërish në vëmendje, këtë herë mediat shqiptare shkruajtën se CNN grek kishte zbuluar 5 qytetet ku ishin fshehur kontenierët me mbetje.

Por mjafton të bësh një përkthim të artikullit për të kuptuar se kemi të bëjmë sërish me “fake news”. CNN grek në të vërtetë citon ish-Kryeministrin Sali Berisha sipas të cilit kishte dyshime se këta kontenierë mund të jenë fshehur në “Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Dibër”.

cnn
Artikulli i CNN grek edhe i përkthyer në Anglisht ku mbi lajmin për qytetet ku janë groposur kontenierët citohet ish- Kryeministri Berisha

Një investigim i Shqiptarja.com tregoi në mënyrë të hollësishme se si kjo histori u kthye në një ping-pong mes këtyre dy medieve italiane dhe shtypit shqiptar, që kopjonin dhe citonin njëra-tjetrën duke mos u mbështetur në asnjë burim tjetër veç fantazisë.

Por ajo që është shqetësuese është se lajmet për 1400 kontenierët gjenden akoma aty, shumë nga mediet që i publikuan pa verifikuar nuk kanë marrë mundimin t’i përgënjeshtrojnë, saktësojnë ose të paktën t’i fshijnë nga arkiva.

Mjafton një kërkim sipërfaqësor për të kuptuar se media shqiptare online  përdor “fake news” me tituj sensacionalist, ekzagjerime, aludime apo imazhe në kufijtë e pornografisë për të gjeneruar të ardhura përmes klikimeve.

Sa imune është media shqiptare me qindra portale të etura për sensacion dhe klikime, nga infiltrimi i “fake news” që mund të kenë për qëllim të destabilizojnë vendin?

*Lorin Kadiu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest