Studim i varfërisë në vend; Farka zona me nivelin më të lartë të pabarazisë ekonomike

3.Njesite-me-varferine-me-te-larte-ne-vend

Publikimi i përbashkët i Bankës Botërore dhe INSTAT – “Portreti i varfërisë dhe pabarazia në Shqipëri”, jep të dhëna të detajuara, për shpërndarjen e varfërisë në vend. Sipas studimit, niveli më i lartë i varfërisë është në Prefekturën e Kukësit me rreth 22% ndërsa niveli më i ulët është shënuar në Qarkun e Gjirokastrës me vetëm 8%. Por kur flitet për nivelin e pabarazisë midis të pasurve dhe të varfërve, vendin e parë e zë qarku i Tiranës.

Sipas studimit, Farka është komuna që ka nivelin më të lartë të pabarazisë nga 373 njesi administrative (sipas ndarjes së mëparshme territoriale). Nëse një dekadë më parë ishte thjesht një zonë rurale si gjithë të tjerat, sot është kthyer në një zonë të mbushur me vila luksoze te të pasurve të vendit që bashkëjetojnë me banorët e varfër, duke theksuar kështu hendekun e pabarazisë që po krijohet në vend. Indeksi Gini, që mat nivelin e pabarazisë, është gati 30% për Farkën. Pas Farkës, zona me pabarazinë më të madhe në vend është Lezha.

Komuna me pabarazinë më të ulët në vend është Kalis në Kukës. Kalisi është gjithashtu dhe zona me varfërinë më të lartë në vend, ku gati 40% e banorëve janë të varfër. Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës dhe 3 të tjerat në Librazhd, Dibër e Tropojë.

Nga ana tjetër zonat me varfërinë më të ulët në vend ndodhen në Gjirokastër. Komuna më pak e varfër në Shqipëri është Zagoria, ku niveli i varfërisë është vetëm 2.5%. Nga 10 njësitë më pak të varfra, 7 janë në Gjirokastër dhe 3 të tjerat në Korçë, Sarandë e Përmet.

Banka Botërore ka theksuar se rezultatet e hartës së varfërisë në Shqipëri mund të kombinohen me informacione të tjera në interes të politikave (arsimit, infrastruktura rrugore, shpenzimet e mirëqenies publike, etj.) për të ndihmuar në zhvillimin e zonave të vogla gjeografike, në bazë të karakteristikave të veçanta të tyre, duke zbatuar programe kundër varfërisë, duke mbështetur zhvillimin e përshtatshëm të infrastrukturës etj.

Studimi është i bazuar në Censusin e vitit 2011 dhe Anketën e Matjes së Nivelit të Jetesës 2012. /m.g/

Shkrimi i plotë: Monitor.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest