Gruaja fal burrin dhunues, rikthehet në gjykatë për të marrë urdhër mbrojtje për veten dhe fëmijët

Hava

Pjesa më e madhe e grave viktima të dhunës në familje vijojnë të bashkëjetojnë me dhunuesit edhe pse gjykata urdhëron distancimin e tij për më shumë se 500 metra. Nuk janë të pakta rastet kur kjo situatë sjell përshkallëzim të dhunës  deri në vrasje.

35- vjeçarja Hava B. kishte marrë urdhër mbrojtje nga bashkëshorti dhunues, megjithatë e fali dhe vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi me të. Ajo iu rikthye sërish gjykatës për të marrë mbrojtje jo vetëm për veten, por edhe për fëmijët.

“Ku të shkoj, s’kam ku shkoj. Tani erdha për urdhër mbrojtje për fëmijët e mi, mbrëmë tentoi sërish të më rrihte, e njëjta histori prej katër vitesh”, thotë ajo për Top Channel.

Fabjola Egro përfaqësuese e organizatës “Sot për të ardhmen” tregon për Top Channel arsyet pse gratë tërhiqen nga kërkesa për të marrë urdhër mbrojtjeje.

“Ndihen të kërcënuar sepse kanë frikë, sepse janë të pambrojtura ekonomikisht, ndaj dhe duhet orientim për fuqizimin e tyre, për ti riintegruar në kurse profesionale”, thotë Fabjola.

Për shkak se mjaft gra nën urdhër mbrojtje janë vrarë nga partnerët dhunues, aktualisht ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje është në proces diskutimesh për tu ndryshuar.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest