Tmerri i nënës që humbi foshnjën 2 muajsh, morgu i Tiranës nuk i jep trupin nëse s’paguan

rudina hoxha

Rudina Hoxha, një nënë 37-vjeçare e komunitetit Rom po kalon ditët më të vështira të jetës. Gjashtë ditë më parë ajo humbi foshnjën e saj dy muajsh që sipas njoftimit të policisë ndërroi jetë për shkaqe natyrale në QSUT.

Ngjarja bëhet edhe më tragjike, sepse morgu i Tiranës nuk pranon t’i japë trupin e pajetë të fëmijës pa paguar një tarifë prej 6 mijë lekësh.

Mes lotësh, Rudina tregon për Report TV, se ajo gjendet në gjendje tejet të vështirë ekonomike dhe nuk ka asnjë mundësi të paguajë morgun dhe vendin në varreza për t’i bërë nderimet e fundit fëmijës së larguar nga jeta.

“Më vdiq goca i thash nuk kam lekë ta varros, merre më tha çoje në shtëpi. Kam 5 ditë resht që vij vërdallë dhe nuk po ma varrosin, kërkojnë lekë për tokën.

Tani nuk di se çfarë të bëj, ta marr fëmijën dhe të dal të rri në mes të rrugës, sikur është ashtu i vdekur, ashtu ta marr. Ata kërkojnë lekë, unë nuk kam lekë t’u jap, se po të kem për fëmijën tim nuk më dhimbset gjë”,  tha ajo.

Rudina duhet të paguajë 6 mijë lekë për mbajtjen e trupit në morg dhe 25 mijë lekë  për vendin e varrit në varrezat publike.

Report TV raporton se i është drejtuar Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Bashkisë së Tiranës për rastin e Rudinës. Jashtë kamerave, përfaqësues të këtyre  institucioneve kanë pohuar se do ta ndihmojnë zonjën për zgjidhjen e problemit.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest