Sorosistët, vandalët dhe fashistët

12472510_1079868645459812_8502413436741802829_n

Nga Ervin Qafmolla

“Për paratë e huaja shesin nënën, babën dhe atdheun.” Mëngjesin e 27 janarit të këtij viti, hyrja e zyrave në Beograd të Youth Initiative for Human Rights – një rrjet jofitimprurës në Ballkan – u gjet e vandalizuar, dhe kjo parullë dhe të tjera ishin ngjitur mbi derën e tyre. Në tokë ishin hedhur dy thasë me letra të shtypura si dollarë me mbishkrimin “Nga George Soros”.

Kjo OJF u shënjestrua pasi aktivistë të saj ndërprenë me bilbila fjalimin prej heroi të Veselin Sljivancanin, një kriminel lufte i dënuar për rolin e tij në Masakrën e Vukovarit, në vitin 1991. Gjatë këtij aksioni, aktivistët u rrahën nga nacionalistët e pranishëm, por autoritet serbe nuk morën asnjë masë ndaj sulmuesve. Organizata që merret me të drejtat e njeriut, nuk kishte përfituar fonde nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (i ashtuquajturi Soros), por denoncimi i saj ndaj kriminelëve të luftës u bë kusht i mjaftueshëm që të etiketohen si “armiq të Serbisë” dhe “sorosistë”.

Ky nuk është një incident i izoluar. Organizata të ndryshme, jo vetëm në Serbi për pothuaj në çdo vend të Ballkanit Perëndimor kanë qenë objekt i sulmeve të ngjashme, fizike apo verbale. Në raste të shumta financimi nga Soros nuk ka qenë parakusht as për agresionet e as për etiketën “sorosist”.

“Anti-sorosizmi”, deri dje një mantra thuajse ekskluzive e regjimeve autoritare apo e vendeve që kanë probleme të rënda me nacionalizmin, fitoi një momentum të ri pas hyrjes së Donald Trump në Zyrën Ovale. Që para zgjedhjes së tij si President e deri sot, një sërë mediesh satelite të doktrinës “Trump” kanë drejtuar gishtin nga miliarderi plak, i cili fitoi shumicën e pasurisë përmes spekulimeve në bursë, duke e akuzuar si yshtës të kundërshtive kundër tij. Gjatë fushatës presidenciale në SHBA, George Soros kishte dhuruar rreth 20 milionë dollarë për kauza të ndryshme, përfshi mbi 10.5 milionë dollarë ndaj Hillary Clinton.

Punët shkuan deri aty me Soros-maninë sa ithtarë të Trump e pyetën aktoren Rosie O’Donnell, e cila luan role humoristike që përtallin administratën e Presidentit të SHBA-ve, se sa e paguante Sorosi. Vetë plaku Soros nuk është treguar i rezervuar mbi përshtypjet e tij ndaj drejtuesit të Amerikës, duke thënë se Trump ishte një “diktator në tentativë” dhe se “do të dështonte pa dyshim”.

Hungarezo-amerikani, me origjinë hebraike që i mbijetoi Holokaustit, vlerësohet ka një pasuri neto mbi 25 miliardë dollarë, dhe në periudhën 1979-2011 vlerësohet se ka dhuruar më shumë se 11 miliardë ndaj kauzave të ndryshme filantropike.

Psikoza shqiptare

Këto janë disa fakte. Është gjithashtu fakt që histeria anti-Soros pushtoi ligjëratën publike në Shqipëri pasi Donald Trump u bë President i “demokracisë më të madhe në botë”.

Është ende subjekt i një studimi shumë-disiplinor dhe me përqendrim të lartë të hulumtimeve psikologjike sesi “trumpizmi” – si term i anasjelltë i “sorosizmit”, apo “sorizmit” – zuri rrënjë në këtë skaj tjetër të globit duke pushtuar Ballkanin. Çfarë i bëri mbështetësit entuziastë shqiptarë të një prej personave më kontroversë në planet ta duan atë? Konservatorët e pëlqejnë edhe pse vlerat e tij familjare mëtojnë një telenovelë haremesh. Nacionalistët e përkrahin edhe pse politika e tij e jashtme shkon drejt mbylljes në vetvete ndërsa tenton një romancë me Vladimir Putin.

Ndërkaq zëfikurit anti-Soros, dikur pak individë me probleme të natyrës vetjake të përshkallëzuara në përmasa shoqërore, tashmë kanë shtuar radhët dhe zhurmën, shpesh duke përsëritur si papagaj serialë fletërrufetë e Breitbart dhe të konspiratorëve të tjerë që ditën flisnin për lozha masonike dhe komplote makabre (si ndryshimi i “rremë klimatik”), dhe natën mbylleshin në bodrumet e shtëpive të tyre duke vendosur kapele prej letre alumini që qeveria mos t’u lexonte mendjet.

Sot ata i kanë hequr kapelat anti -përgjim, sepse nga bodrumi kanë ngjitur shkallët për në Shtëpinë e Bardhë, duke fuqizuar paralelisht zërin e atyre si vetja edhe në këtë skaj të Ballkanit. Por përveç të sëmurëve mendorë tradicionalë që nuk marrin trajtimin e duhur institucional – provë tjetër e dobësisë tërësore të sektorit publik në Shqipëri – në valle janë përfshirë edhe aktorë të tjerë që konsiderohen disi më koherentë.

Disiplinë në çmenduri

Në janar të këtij viti, kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, tashmë një kundërshtar i deklaruar i reformës në drejtësi, habiti shumëkënd duke akuzuar Donald Lu, ambasadorin SHBA-ve në Tiranë, se po bënte shantazhe “tipike sorosiste”. Ndërsa mbetet ende mister i pazgjidhur domethënia zyrtare e këtij togfjalëshi, sherri kishte të bënte me sabotimin e heshtur që Llalla i bënte vetingut, një proces i ashpër i kalimit në sitë të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të rifreskuar radhët e gjyqësorit në Shqipëri. Lu reagoi duke e akuzuar haptazi Llallën për pengim të reformës, ndërsa Llalla reagoi duke përmendur pavarësinë institucionale të prokurorisë dhe… “sorosizmin”.

Tradicionalisht, drejtësia perceptohet nga shqiptarët si një ndër sektorët më të korruptuar, dhe reforma në fjalë nuk ka hasur në kundërshti popullore. Rrjedhimisht, ngritja e një argumenti kundër reformës që synon pastrimin e radhëve të gjyqësorit nga zyrtarët e korruptuar për t’i dhënë fund praktikës së pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të kalibrit të lartë, ishte dhe mbetet një mision në kufijtë e së pamundurës.

Para gjetjes “sorosiste”, kundërshtarët e reformës përdorën konceptin e “pavarësisë”, për të kundërshtuar praktikën e përfshirjes intensive të institucioneve ndërkombëtare në proces. Ndryshe nga ç’kishte ndodhur me Princ Vidin në Shqipërinë e fillimit të 1900’ës, dhe duke qenë se betejat e sotme për çështje të tilla zhvillohen kryesisht në opinionin publik, ithtarët e sotëm të pavarësimit hermetik nuk arritën ta zbythin autoritetin ndërkombëtar.

Pas këtyre dështimeve lehtësisht të lexueshme, përplasja ndërmjet aktorëve të përfshirë e katapultoi dramën në një fushëbetejë të re, ku të rëndësishme nuk janë më sloganet, por etiketat që u vendosen njerëzve dhe ngjarjeve. Ndaj ndodhi edhe përfshirja e kryeprokurorit në komente qesharake.

Para ngjarjes në fjalë dhe në vazhdim, një skuadër e organizuar tabloidesh online janë rreshtuar në frontin e luftës kundër Sorosit (lexo: Reformës në Drejtësi). Ndërkohë që qeveria e Edi Ramës dhe njerëzve të tij të afërt kanë qenë në krye të kryqëzatës për reformën, krahas Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe një sërë institucionesh ndërkombëtare, populizmi “anti-sorosist” ka qenë i vetmi mesazh që kundërshtarët kanë mundur të gjejnë.

Nuk është e paqëllimtë përzgjedhja e Sorosit si etiketë përbashkuese e fushatës kundër shoqërisë civile në një sërë vendesh. Një bankier hebre që është pasuruar mes lojës në tregje financiare, u qëndron shumë mirë teorive konspirative dhe anti-semitizmit të fshehtë. Por, ata që e kanë blerë këtë mesazh dhe pëshpëritin për lozhat masone ku Sorosi është “më të paktën nënkryetar” – të njëjtët pajtohen plotësisht me mbështetjen e pakushtëzuar të Donald Trump ndaj shtetit të Izraelit dhe brutalizimin sistematik që i bëhet popullit palestinez.

Ata të përmendin të drejtën (në fakt të pakontestuar) të Izraelit për të ekzistuar, dhe se sipas Biblës (një libër fetar, jo material ligjor) ajo tokë i përket hebrenjve. Një rrjedhje e e-maileve të Fondacionit për Shoqëri të Hapur në vitin 2016 tregoi se manjati kishte mbështetur mes qindra milionë dollarëve organizata palestineze, ku ndër të tjera binte në sy një dokument ku Izraeli akuzohej për “politika raciste dhe anti-demokratike”. Ky fakt shkaktoi shpërthim zemërate nga lobi izraelit, por nuk i çuditi shumë “sorosistët”.

Kësisoj, një pjesë e “anti-sorosistëve” të sotëm vuajnë nga një lloj i veçantë skizofrenie intelektuale: ata janë njëherësh anti-semitë dhe pro-sionistë. Manipuluesve të tyre nuk u bëhet vonë as për njërën e as për tjetrën: ata duan thjesht të arrijnë objektiva pragmatiste.

Mëkatarë dhe shenjtorë

Tabloidizimi i një pjese të opinionit publik shqiptar me mesazhe “anti-sorosiste” kërkon të përligjet duke përmendur me emër dhe mbiemër armiqtë e hamendësuar publikë: “sorosistët” prej mishi e kockash. Afërmendsh, pena kapi si fillim emrat e Kryeministrit Edi Rama dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Të dy këta nuk janë të rinj në lëvrimet e konspiracionit sorosist. Në të shkuarën, Rama dhe Soros kanë mbajtur takime të drejtpërdrejta, ku ky i fundit nuk e ka fshehur pëlqimin ndaj Ramës. Persona të tjerë pranë Ramës, përfshi Veliaj, kanë punuar në organizata që kanë përfituar mbështetje financiare nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

Fakti që Veliaj bashkë me themelues të tjerë të Lëvizjes Mjaft iu bashkuan politikës për të përfunduar më vonë në qeverisjen e Ramës, jo vetëm nxiti zjarrin e komploteve, por krijoi probleme edhe për vetë Mjaftin. Në Strategjinë e Zhvillimit Afatmesëm të Mjaft, shkruar në vitin 2010, dhe ku ky autor ka qenë pjesë e ekipit hartues, përmendej qartë se zhvendosja e themeluesve të organizatës nga shoqëria civile në politikë e kishte tronditur besimin e publikut dhe të donatorëve ndaj kësaj lëvizjeje.

Një pjesë e skuadrës së Mjaftit, që në fillim apo gradualisht – disa për çështje vlerash e të tjerë thjesht sepse kërkonin një punë të qëndrueshme – ndoqën gjurmët e udhëheqësit të tyre duke u bërë pjesë e establishmentit aktual, ndërsa të tjerë zgjodhën të qëndrojnë jashtë politikës dhe ta kërkojnë të ardhmen e tyre në drejtime të pavarura.

Vlen të përmendet se edhe në rastin e Mjaftit, Sorosi nuk ka qenë donatori kryesor, madje ka pasur raste kur projekte të gjykuara të rëndësishme për organizatën janë refuzuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. Por, aktakuza publike ndaj Mjaftit është një debat më vete që meriton një analizë të posaçme, të thellë dhe të gjatë.

Së fundmi, presa e histerisë “anti-sorosiste” është shtrirë edhe më tej, duke përfshirë në fushën e saj edhe organizata dhe individë jashtë rretheve vendimmarrëse. Para rreth një muaji, një karikaturë në një gazetë të Kategorisë C, shfaqi fytyrat e praktikisht çdo gazetari të njohur apo drejtuesi të medieve në Shqipëri, të cilat valëzonin në tentakulat e një oktapodi që quhej “Soros”.

Në një karikaturë të mëvetshme dhe më ekskluzive nga numri i viktimave të përfshira, ishin edhe gazetarë të BIRN (ku Soros nuk është donator kryesor) në Tiranë, një media e cila ka realizuar një sërë investigimesh që kanë ekspozuar keqbërjen e qeverisjes qendrore dhe vendore. Por, qasja kritike e BIRN ndaj qeverisë dhe ekspozimi i rasteve të rënda të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, nuk ka mjaftuar që ata të mos etiketohen si aleatë të saj, duke ngritur teori të reja komploti se gjoja BIRN është kundër Veliaj dhe pro Ramës apo anasjelltas.

Të gjitha këto të pabëra të kësaj medieje, sipas paranojakëve, janë bërë për t’i shërbyer Sorosit. Në fakt, nuk ka rëndësi se ku qëndron dikush sa kohë që kjo lojë shërbehet me slogane dhe gjueti shtrigash dhe në mungesë të fakteve konkrete. Edhe në Serbi dhe vende të tjera të rajonit, BIRN dhe media të tjera janë etiketuar po ashtu si “sorosiste”.

Shprehja e hapur e mbështetjes së Soros ndaj prurjeve të reja në udhëheqësin e disa vendeve, në mënyrë direkte apo indirekte, nuk është sekrete – krahas denoncimit të pushtetarëve të ndryshëm. Për shembull, në një opinion për Ukrainën në vitin 2014, ai thotë se njerëzit që protestuan në sheshin “Mejdan” ishin ajka e shoqërisë. “Ata janë udhëheqësit e Ukrainës së re dhe janë të paepur kundër kthimit të ‘Ukrainës së vjetër’ me korrupsionin e saj endemik dhe qeverisjen joefektive”, shkroi ai.

Por, pavarësisht kësaj mbështetjeje publike ndaj brezit të ri të udhëheqësve të vendit të trazuar në kufi me Rusinë dhe në konflikt me të, organizatat jofitimprurëse dhe shoqëria më e gjerë civile atje nuk kanë hequr dorë nga monitorimi i kujdesshëm i qeverisë së Petro Poroshenkos. Sipas standardeve në fuqi të profetëve të urrejtjes, edhe ata janë “sorosistë” dhe njëkohësisht, në vijën e parë të frontit ku zhvillohet beteja për mbrojtjen e interesit publik.

Fundi i marrëzisë

Këto ditë, mijëra nacionalistët që kanë protestuar kundër të drejtave të shtuara ndaj popullsisë etnike shqiptare në Maqedoni, akuzojnë George Soros si dora masone që po trazon “bashkimin kombëtar”. Për arsye të ndryshme nga ato të Shqipërisë, por të ngjashme në frymë, edhe atje ka nisur emërtimi i “sorosistëve” si armiq të popullit, duke shënjestruar median dhe shoqërinë civile. Në dhjetor, partia VMRO-DPMNE e Nikola Gruevskit u zotua ta shpëtonte vendin nga ndikimi i OJF-ve të lidhura me miliarderin Soros, një proces që e quajti “çsorosizim”.

Mllefi kundër “sorosistëve” gëlon edhe në vende të tjera. Në Hungarinë e Viktor Orbanit “sorositët” akuzohen se duan ta “përmbytin Evropën me emigrantë myslimanë”. Në Rumani, pas protestave masivë kundër amnistisë ndaj korrupsionit, partia (socialiste) në pushtet akuzoi se “Sorosi po financon të ligën”.

Në Serbi, “sorositët” janë akuzuar nga pushtetarë, nacionalistë dhe tabloidet e tyre satelite, përfshi ato në krah të Aleksander Vucic, se “duan të destabilizojnë vendin”. “Gratë në të Zeza”, një organizatë e nënave të viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi nga disa vende të rajonit, është cilësuar gjithashtu si “sorosiste”. I akuzuari për krime lufte Vojisllav Sheshel ka thënë për to: “Nuk lahen kurrë dhe u vjen era nga kilometra larg”.

Nënat e viktimave janë akuzuar shpesh në Serbi se advokojnë për “krimet e hamendësuara” ndaj etnive të tjera, por jo ndaj atyre të kryera ndaj serbëve. Për më tepër, një zyrtar i policisë së Serbisë ka thënë se kush sjell një kokë të grave i quhet një vepër e mirë. I vënë fillimisht në hetime, ai u lirua nga akuzat.

Në këtë pikë, është e qartë se termi “sorosist” është thjesht maska për një gjueti shtrigash ndaj shoqërisë civile. Nuk ka rëndësi nëse paguhesh apo jo nga Soros; ti je fajtor, je armik i popullit dhe njeri i poshtër, thjesht sepse ngre zërin kundër padrejtësive dhe kërkon më të mirën për veten dhe tjetrin.

Ti je “sorosist” sepse lufton korrupsitonin, nëpërkëmbjen e më të dobëtëve, kriminelët e luftës dhe kërkon të drejta të barabarta. Je “sorosist” kur nuk e do qeverinë, je “sorosist” kur nuk e do as opozitën, je “sorosist” kur nuk ndihesh aspak i përfaqësuar nga klasa politike.

Kjo është e vërteta thelbësore e kësaj fushate-paçavure globale, e nxitur kryesisht nga despotë, të korruptuar e kriminelë, të cilët nuk u bëhet vonë për një miliarder plak, por për faktin që njerëz të rinj e të vjetër, burra e gra, të besimeve dhe bindjeve të ndryshme, ngrenë lart kokën dhe zërin për të kërkuar çfarë është e drejtë.

Kështu, “sorosistë” jemi shumica prej nesh, na pëlqen apo jo. Dhe sot më shumë se kurrë, është e domosdoshme të dalim hapur, jo në mbrojtje të një personi apo fondacioni, por të së drejtës sonë për t’u shprehur dhe advokuar pa frikë kauzat që kemi për zemër.

Ky është një moment që kërkon kurajë individuale dhe kolektive, sepse prej kohësh tashmë, vandalizmi mediatik është shndërruar në dhunë fizike, dhe hapi tjetër mbetet fashizmi, i cili mbështet mbi vlerat dhe metodat e armiqve të demokracisë: urrejtje ndaj tjetrit dhe shtypje e fjalës së lirë.

Ky është çasti për të reaguar para se të jetë vonë.

Siç thotë edhe citati i famshëm pastorit protestant Martin Niemuller, i cili vuajti shtatë vjet në kampet e përqendrimit të Adolf Hitlerit: “Në fillim erdhën për socialistët, dhe nuk fola sepse nuk isha socialist. Pastaj erdhën për sindikalistët, dhe nuk fola sepse nuk isha sindikalist. Pastaj erdhën për çifutët dhe nuk fola, sepse nuk isha çifut. Pastaj erdhën për mua, dhe nuk kishte mbetur askush që të fliste për mua”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest