Marshimi i banorëve të Zharrëzës, kërkesat e tyre dhe thirrja për mbështetje qytetare

IMG_8169

Banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë arritur sot në mesditë në Tiranë pas katër ditëve marshim. Pas 126 Km rrugë në këmbë, banorët dhe qindra qytetarë që iu bashkuan rrugës, u mblodhën përpara ministrisë së Energjisë dhe Industrisë duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre nga lëkundjet e shpërthimeve që bën kompania që merret me nxjerrjen e naftës në zonën e Patos – Marinzës.

Sot në protestë banorët kanë thënë se është e pamundur të jetohet në një shtëpi ku ndihen 30 tërmete në ditë. “Nuk na i zë gjumi natën fëmijët, rrinë me sy hapur çdo natë nga frika se do të na bien shtëpitë”, ka thënë njëri prej protestuesve.

Pyetjes së një gazetareje nëse po tregoheshin të paduruar për zgjidhjen, njëri nga 9 grevistët me të drejtë iu përgjigj se vet zëvendëskryeministri Niko Peleshi kishte premtuar se brenda 31 janarit 2017 do të kishte një zgjidhje për ta. “Sot jemi në 25 shkurt, kishin edhe një muaj kohë deri më sot, ku janë këta politikanë sot?”. Ka thënë njeri prej grevistëve.

Banorët kanë arritur të bëjnë një takim me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, i cili sipas tyre është treguar sërish i gatshëm dhe iu ka premtuar se do të dëmshpërblehen dhe do të plotësohen kërkesat e tyre. Por kjo nuk i ka mjaftuar banorëve, në një deklaratë për mediet ata thanë se nuk do të largohen nga sheshi përpara ministrisë së Energjisë pa marrë vendimin (VKM) për zhdëmtimin e tyre.

Banorët kanë thënë se “qielli dhe sheshi” përpara ministrisë së Energjisë dhe Industrisë do të jenë shtëpia e tyre derisa të arrihet një zgjidhje për ta.

Protestës së banorëve të Zharrëzës kanë tentuar t’i bashkohen edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe mbështetës të PD-së por janë larguar mes thirrjesh “nuk duam parti”, “edhe ju jeni fajtorë”, “duam shtëpitë tona” nga qytetarët.

Duhet theksuar se më parë banorët janë futur dy herë në grevë. Pas grevës së parë të urisë, zëvendëskryeministri Niko Peleshi iu premtoi se do të dëmshpërbleheshin brenda datës 31 Janar 2017. Ky premtim nuk u mbajt dhe banorët u rikthyen në grevë urie më 4 shkurt.  /m.g/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest