Gjyqi i “vezëve” ndaj Ramës; Avokati i studentëve: Gjykata asnjë arsye për mosthirrjen e Kryeministrit si dëshmitar

Vezet-1

Kryeministri Edi Rama nuk do të dëshmojë në gjyqin kundër tetë studentëve, aktivistë të Lëvizjes “Për Universitetin”, që e qëlluan me vezë më 2 nëntor të vitit 2015. Gjatë seancës së fundit  gjykata tërhoqi mbrapsht vendimin e saj për ta thirrur si dëshmitar.

Lëvizja “Për Universitetin” e quajti këtë vendim të paligjshëm dhe shtoi se Kryeministri u shmang dhe nuk pati kurajë të përballet me studentët.

Për të mësuar më shumë mbi atë që rrezikojnë 8 studentët e akuzuar dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në mbrojtjen e tyre përpara gjykatës, Historia Ime intervistoi avokatin Dorian Matlija nga qendra ResPublica që mbron studentët në këtë çështje.

Si e gjykoni ju si avokat i palës së akuzuar revokimin e thirrjes së Kryeministrit Rama në gjyqin ndaj studentëve?

Revokimi i thirrjes së një dëshmitari është e drejtë e gjykatës dhe e njeh ligji si mundësi. Ajo që më bëri përshtypje është fakti që gjykata e kishte marrë një herë si vendim për ta thirrur si dëshmitar duke dhënë një arsye për këtë gjë. Revokimi erdhi më pas dhe nuk u shoqërua me arsyetim. Me pak fjalë, gjyqtari nuk shpjegoi pse nuk vlente më logjika e herës së parë dhe pse tani nuk kishte më vlerë dëshmia e tij.

Cili janë hapat që do të ndiqni në seancat e ardhshme?   

Hapat e mëtejshëm janë përgatitja e konkluzioneve nga të dyja palët. Në seancën e ardhshme do paraqesë konkluzionet prokurori dhe më pas është radha jonë. Në lidhje me revokimin e vendimit për të thirrur E. Ramën si dëshmitar, gjithçka do varet nga vendimi përfundimtar i gjykatës. Nëse ky vendim do të jetë pozitiv për ne nuk do ketë arsye për të bërë ankim. Nëse vendimi do të jetë negativ, atëherë një nga pikat e ankimit do jetë edhe mungesa e hetimit të plotë dhe të gjithanshëm nga prokuroria dhe gjykata, duke mos dëgjuar një dëshmitar kyç në proces.

A cenohet rregullsia e procesit ligjor pas këtij vendimi?

Rregullsia e procesit ligjor cenohet në këtë rast kur dëshmia e tij do ishte shume e rëndësishme, pra do të ndikonte në marrjen e një vendimi të drejtë. Në varësi të vendimit do të veprojmë me ankimin siç u shpreha më lart.

Cila është akuza dhe çfarë dënimi rrezikojnë 8 studentet e dërguar për gjykim?

Akuzat që rëndojnë mbi studentët janë dy: 1. goditja për shkak të detyrës (akuzuar 3 persona) dhe 2. kundërshtim i punonjësit të rendit publik (akuzuar 8 persona). Pra, për 3 persona janë dy akuza, ndërsa për 5 të tjerë është vetëm një akuzë. Dënimi që mund të rrezikojnë studentët është nga gjobë deri burg. Vërtet ligji ka parashikuar se dënimi me burgim në këto raste është deri në 3 vjet, por në praktikë nuk jepen dënime më të rënda se 3, ose 6 muaj burgim në varësi të rrethanave. Studentët nuk janë të rrezikshëm, nuk kanë dënime të mëparshme, nuk kanë penguar hetimin, etj, çka do të vlerësohet në llogaritjen e dënimit nëse do të deklarohen fajtorë nga gjykata.

Megjithatë, në seancën e ardhshme do të dëgjojmë se çfarë do të kërkojë prokurori dhe këtu do kemi një ide më të mirë. Gjithashtu, vlen të thuhet se, edhe në rastin e një dënimi, janë kushtet që studentët të mos vuajnë asnjë ditë burgim duke kërkuar pezullimin e dënimit dhe lirimin e tyre me kusht për 18 muaj, me kushtin që ata të mos bëjnë vepra të tjera penale gjatë kësaj periudhe.

Ne do përpiqemi të argumentojmë se studentët janë të pafajshëm, por kjo nuk do të jetë e lehtë. Siç u kam thënë edhe studentëve, në 5 vitet e fundit për këto akuza janë dënuar mbi 100 persona dhe ka dalë i pafajshëm vetëm 1 person. Shpresojmë ta bëjmë 2 numrin.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest