Gjykata tërheq mbrapsht thirrjen e Kryeministrit si dëshmitar në gjyqin ndaj studentëve

vez-1024x683

Tetë aktivistët që qëlluan me vezë Kryeministrin Rama më dy nëntor 2015 në fakultetin e Shkencave Sociale u thirrën dje në seancën gjyqësore të radhës. Aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” përballen me dy akuza “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim i forcave të rendit”.

Në këtë seancë gjykata revokoi me propozim të prokurorit, vendimin që kishte marrë më 22 shtator 2016, për të thirrur Kryeministrin Edi Rama në cilësinë e dëshmitarit.  Propozimi i prokurorit u argumentua me faktin se z. Rama ishte thjesht i dëmtuar i ngjarjes dhe se nuk mund të sillte diçka më shumë në pasqyrimin e saj.

Por Lëvizja” Për Universitetin” deklaron se gjykata me këtë vendim ka shkelur ligjin. Konkretisht ata argumentojnë se është shkelur neni 6, paragrafi 3 shkronja d ku thuhet:

“Çdo i akuzuar për kryerjen e veprës së dënueshme penale ka të drejtë të marrë në pyetje ose të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve të akuzës, si dhe të kërkojë praninë ose marrjen në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes në kushte të njëjta me ata të akuzës”

Sipas Lëvizjes “Për Universitetin” kjo përbën shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor duke mos lejuar  garantimin e standardit të barazisë gjatë gjykimit të çështjes.

“ Rikujtojmë se roli i prokurorit dhe gjykatësit nuk është të ruajnë nderin e kryeministrit, ashtu siç bënë oficerët dhe gardistët dhunues, por ai i garantimit të një procesi të drejtë”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes “Për Universitetin”.

“Sado e dhimbshme të jetë për zotin Rama të jetë i zhveshur nga petku që i jep posti i kreut të ekzekutivit, ai në sallën e gjyqit do të ishte i barabartë me të gjithë shtetasit e tjerë, përfshirë edhe studentët e akuzuar” thuhet më tej në deklaratë.

Aktivistët thonë se Kryeministri u shmang dhe nuk pati kurajë të përballej me studentët në sallën e gjyqit.

8 studentët u hetuan në gjendje të lirë dhe u përballën me akuzat rreth një vit më parë ndërsa janë ende në pritje të  vendimit të gjykatës.

/l.k./

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest