INSTAT: Rritet popullsia për herë të parë nga 2001; mosha mesatare arrin 35 vjeç

popull

Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë ka pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001. Në 1 Janar 2017, popullsia përllogaritet 2.876.591 banorë, apo rreth 1000 banorë më shumë se 1 Janar 2016.

Gjithashtu vazhdon të rritet mosha mesatare e popullsisë, nga 34 vjeç në 2015 në 35 vjeç në 2016. Qarku me moshën mesatare më të ulët është Tirana (33 vjeç), ndërsa qarku me moshën mesatare më të lartë është Gjirokastra (37 vjeç).

Sipas raportit të Instat duket qartë procesi i moshimit në vend, i cili ka filluar të jetë prezent në zhvillimin demografik të vendit. Nga ana tjetër rritja e jetëgjatësisë ka bërë më numeroze pjesën që zënë të moshuarit në popullsinë e Shqipërisë, (65+ vjeç).

Në vitin 2016 raporti i varësisë së të rinjve ka shënuar një rënie në krahasim me vitin 2015, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka pësuar një rritje të lehtë nga 18,4 % në 18,9 % gjatë të njëjtës periudhë.

Deri në 1 Janar 2017, popullsia u rrit vetëm në tre qarqe të vendit – Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Nga ana tjetër, uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër, Dibër, Berat dhe Kukës. /m.g/

grafik-INSTAT-popullsia

Burimi: Monitor.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest