Komisioneri: Mungesa e ilaçeve për fëmijët me leucemi përbën diskriminim

femijet-me-kancer4-e1468578404773-400x300

Shoqata “Together For Life” (TGF) dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i kërkuan Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi kryerjen e një hetimi administrativ mbi diskriminimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e Leucemisë  për shkak të mungesës së medikamenteve në  Spitalin Nënë Tereza.

Në kohën kur u denoncua se mungesa e ilaçeve rrezikonte jetën e fëmijëve me Leucemi,  Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, deklaroi se kishte bërë përpjekjet për të blerë medikamentet, por nuk ishte bërë e mundur për shkak të dështimit të procedurave të prokurimeve. Në kërkesën drejtuar Komisionerit, TGF dhe KShH argumentuan se shkak i dështimit të procedurave mund të ishte edhe sasia shumë e vogël e barit (flakonëve) që kërkoheshin me fondin limit prej 294,712 lekësh (pa TVSH), shumë e cila konsiderohet e vogël për kompanitë që të përfshihen në procedurat e blerjes.

Vendimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Në Vendimin nr. 196, dt. 29.12.2016, të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është arsyetuar se: “Drejtoria e QSUT-së që nga periudha e dështimit të disa procedurave të prokurimit për këtë bar ka qenë në dijeni se ky bar nuk ka qenë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe përsëri nuk ka marrë masat për të vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë për këtë mungesë apo të merrte masa për sigurimin e këtij bari nëpërmjet donacioneve përpara se të shfaqej mungesa e këtij bari dhe të bëhej publik lajmi nga organizatat Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe “Together for Life”… Komisioneri vlerëson se Drejtoria e QSUT-së për vetë kohën e gjatë që ka pasur në dispozicion (periudha 2015 – 6.2016) duhet të kishte gjetur hapësirat institucionale dhe ligjore (ashtu siç siguroi furnizimin pas datës 14.09.2016) për t’u siguruar pacientëve fëmijë medikamentin në kohën e duhur.

 

Në përfundim, Komisioneri ka vlerësuar se praktika e ndjekur nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, duke mos bërë të mundur vënien në dispozicion të fëmijëve të medikamenteve mjekësore përbën diskriminim të tërthortë të fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e Leucemisë në Pavionin e Onkohematologjisë në Shërbimin e Pediatrisë. Si dhe rekomandoi që kjo Qendër, në të ardhmen të ketë në vëmendje sigurimin e medikamenteve mjekësore në kohë dhe sasinë e duhur.

KShH dhe “Together for Life” shpresojnë kjo nismë e ndërmarrë edhe me ndihmën e “Civil Rights Defenders” t’u shërbejë si precedent institucioneve publike të shëndetësisë për të reflektuar pozitivisht për gjithë pacientët që nuk marrin shërbimin e duhur shëndetësor pranë tyre.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest