Familjet Rome jetojnë mes shiut, gripit dhe mungesës së tualeteve, askush nuk reagon

cxvxcgvbxc

Pasi u ka prishur banesat si pasojë e projektit për rehabilitimin e lumit Lana, Bashkia Tiranë i ka strehuar familjet rome në një magazinë të braktisur pranë banesave sociale.

Prej dy muajsh ata jetojnë në çadra, ku duhet të përballen me temperaturat e ulëta, epideminë e gripit dhe shiun që futet nga çatia.

Kjo video e shpërndarë nga faqja “Aktivizmi Rom dhe Egjiptian” tregon gjendjen tejet të vështirë të familjeve rome:

“Kemi 2 muaj që jetojnë në këto kushte. Deri sa do jetojmë në mjerim. Kemi frikë se fëmijët do na vdesin nga ftohti dhe sëmundjet”, tregon Shkëlqim Cani, një prej banorëve për gazetën “Standard”.

Veç kushteve ekstreme ku jetojnë, komunitetit rom gjendet në vështirësi të mëdha ekonomike pas ndalimit që Bashkia Tiranë i ka bërë mbledhjes së mbetjeve nga kazanët, e cila prej vitesh ka qenë e vetmja mënyrë e tyre për të siguruar të ardhurat.

Nisma e re për diferencimin e mbetjeve në burim është shoqëruar me një aksion për sekuestrimin e karrocave dhe gjobitjen me  50 mijë lekë të vjetra të çdokujt që tenton të nxjerrë mbetje nga kazanët e rinj të “Eco Tirana”.

Situata në kampin ku strehohen familjet e komunitetit Rom po rëndohet çdo ditë edhe për shkak të sëmundjeve që vijnë nga mungesa e tualeteve. Ndërkohë asnjë nga organet përgjegjëse nuk ka reaguar në lidhje me këtë shqetësim.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest