“Gratë nuk janë më tepër se gjaja” – Shkruar nga: Rreze Abdullahu

auto_varrezat_e_deshmoreve-polac-19_shkurt_2015nj-laura_hasani1424625322-620x420

Shkruar nga: Rreze Abdullahu

 

“Hey men! It would be nice if you stopped fucking killing us!”

Me i vra gratë në Kosovë asht përbrendësue kulturalisht dhe çdo ditë e më tepër burrat po e zgjedhin si alternativë të zgjidhjes së problemeve mes tyre dhe bashkëshorteve, mes tyre dhe të dashurave, etj. Viktima të gjithë kësaj janë gratë. Po i vranë, s’ka problem se kjo asht normale!

Pas shumë vrasjeve në Kosovë, shumica prej tyre nuk u zgjidhën deri në fund, nuk u ndëshkuan vrasësit dhe shoqëria heshti.  Në Prishtinë katrahura e radhës ngjau natën e mbramshme kur nji burrë vrau gruan e tij, dhe plagoi vëllain e të ndjerës, në lagjen Mati 1.

Megjithë motiveve të pazbulueme, burra e gra spekuluan me shkaqet që kanë sjellë deri aty, ku të shumtën e herëve vrasja arsyetohet me ‘ka ba diçka gruja’. Ani pse pavarsisht motiveve, vrasja asht krim dhe duhet ndëshku.

“Ka ba diçka gruja”, dhe si fakt i atillë, atë duhet me e vra, ndryshe burrit i humb neri; i humb vlera; i humb fjala. Tradicionalisht, me i vra gratë asht njëjtë si me i vra qentë, sepse tradita, grave nuk u jep më tepër tagër seç i jep nji kafshe shtëpiake. Po pra, burrat janë kafshë sociale, ama gratë janë vec kafshë jo sociale, dhe jeta e tyre kushton ma pak, ose hiç pak. Nëse dikush e ka vra nji gru, supozohet se kërkush kërkand nuk e vret për pikë të qejfit, por sipas të gjitha gjasave ‘Kudra e keqe’ e ka tradhëtu burrin e mirë; të ndershëm; që punon fort dhe që njerëzit e dinë se ai është njeri i mirë.

Kështu çdo ditë kah nji varr rrin hapur për secilën prej nesh, për mue?! Për ty?! Për shoqen?! Motrën?! Kolegen?! Fqinjën?! Madje, edhe nëse e shohim një vrasës potencial duke e rrah grun e vetë dhe fëmijët e tij, na nuk reagojmë; na shujmë, sepse kjo asht ajo që na dijmë me ba më së miri: ME SHUJTË. Ne i kqyrim punët tona vetëm kur bëhet fjala për me ndihmu dikënd, duke u justifiku asaj pak njerëzillëku që (ndoshta) mbajmë  brenda nesh se kjo asht çashtje familjare. I fusim hundët gjithkund, por nuk e ndalojmë nji vrasje.

Ndërkohë ne nuk pushojmë duke bërë thashetheme për të tjerët; nuk pushojmë së  gjykuari të tjerët për mënyra jetese që kanë zgjedhur të jetojnë; për t’i vrarë çdo ditë e më tepër në të tana format e mundshme; sepse KJO ËSHTË PUNA JONË. Na punë më të mençme s’kemi; me shajtë; me fy; me përgoju; me njollosë; me vra emocionalisht, dhe në fund roli jonë më i rëndësishëm asht: me u ba spektatorë të nji shfaqje komedi-tragjedi ku burri vret gruan, dhe ne kemi siguru material për nja nji muaj kohë sa për ta kënaqë egon tonë dhe arsyetuar shëmtinë e asaj që jemi ne dhe dështimet tona; se ka edhe ma keq.

Kështu, sa herë vritet nji gru ka nji arsye, dhe vrasja justifikohet, bëhet normale,  e lejueshme, dhe shpesh kurajoze. “Hallall i koftë, se burr ish valla, e rujti nderin e shpisë, e i doli zot robit t’vet”, pëshpërisin kahdo ata që nuk dëshirojnë me dëgju zanin e nji gruje për asnji gja të vlefshme e të randësishme në jetën e tyne; në rrethin e tyne; e në konakun e tyne.

Zanin dojnë me ia ni veç deri sa “polli” dhe ua lind trashëgimtarët, në të kundërtën ajo është e pavlefshme . Kaq e pavlefshme, sa shpesh herë krahasohet me lopën. Kam dëgju shpesh prej masës injorante, në seminare e panel diskutime të ndryshme se si burra e gra bashkë me shkollim mesatar arsyetohen për keqtrajtim të grave e vajzave të tyne me shkakun se edhe shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka thanë se gratë edhe loptë janë njëjtë. Kush dreqin e di se prej kah e kanë nxjerrë ata këtë gja, dhe atë tjetrën ,“të gjitha gratë janë kurva, e grua asht edhe nana ime”. Mendja e shëmtueme polli lloj lloj meskiniteti, deri në zhdukje të tjetrit.

Nëse ata s’kishin me e nxjerrë çdo gja prej konteksti nuk kishin me vra; nëse ata kishin me kuptu se kanuni e traditat janë një copë m**i nuk kishin me vra, por kishin me dalë prej vorbullës së mustaqeve me kuptu se njeri asht edhe gruja si burri; se me vra nji gru nuk asht si me pre nji lopë; kishin me kuptu se gruja nuk asht veç me pjell e me iu shërby e nënshtru kokë e kambë, deri në frymën e saj të fundit; deri atëherë kur nji i çakërdisur e ka da menjen me vra, se i paskan lind ca dyshime, ose s’ia paska dëgju nanën, ose nuk e paska ba gjellën e mirë.

Kjo me gjellën e mirë, shpesh herë asht motiv kur gratë grushtohen, mavijosen e nuk ngrihen ma në kamb të shnosha, në sy të fëmijëve djem dhe vajza, ku djalit i jipet mesazhi se kështu duhen dënu vajzat e gratë, kur ato nuk janë mjaftueshëm të zonjat për me mbajtë shpinë e tyre dhe të burrit. Ndërkaq në sy të vajzave, fle mësimi se ato duhet me kanë të dëgjushme; mu ba gati me shku te burri; dhe me i shërby atij me nderë e moral, përndryshe fotografia që iu mbeti në kokë gjatë rritjes; ku baba e ka grushtue nanën e shkretë s’ka me mbetë kurrë veç histori, por përsëritje e vazhdushme e saj se ajo atëherë ( nëna) dhe këto sot (vajzat), kurrë s’guxuan, as nuk mësuan me qu dorën e me thanë boll.

Kurrë gratë me thanë boll s’kanë guxu, se nëse ato  kanë thanë boll, kjo ka kallxu se ato s’janë gra të mira, i kanë provokue burrat edhe e kanë meritue. Ato kanë nji pronar, dhe si robnesha që janë duhet duru; duhet dëgju; duhet shku për vija të qejfit e të tekeve të nji burri idiot dhe gjithë familjes së tij po kaq idiote.

Nëse dikujt i shkon në mend me thanë se gratë po i ekzagjerojnë gjanat, se kurrë ma mirë nuk janë trajtu se sot, le t’ia vënë gishtin në kokë vetes, e la ta kujtojnë se si sot në mëngjes e ka trajtu çikën; kush ia ka mbushë gotën e çajit; si e ka ba çikën me u martu e me u ndi i shliruem, sikur e ka hjekë gajle; si i ka thanë asaj se burrin duhet me e duru, dhe se ai ka të drejtë me bërtitë e me u çirrë; si e ka mësue çikën e vetë me mbyllë gojën, se kërkush nuk të mban kështu, e shumë idiotësi të tjera të pafundme që sot na kanë sjellë këtu ku jemi: në frikën se mos nesër unë jam viktima.  Burrat kanë marrë krahë që kur gratë s’dëgjojnë, dhunoje e vrite. Ti ke t’drejtë me e ba këtë se edhe Zoti të ka dhanë fuqi. E ato nuk janë më tepër se “gjaja”. E shteti ka dekë moti, se krimineli që e vret shtetin e tij nuk ia ka drojën as kur i vret gratë, sepse kështu u konvenon atyre: kontrolli dhe nënshtrimi./A.A.

/barazia.com

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest