Dhuna në familje, shoqëria civile: Bashkëshortët dhunues të përjashtohen nga banesat

dhuna-ne-familje-640x360-1

Pas ngjarjeve të fundit ku gratë kanë qenë viktima të dhunës nga bashkëshorti, janë rikthyer debatet mbi ligjin “Për masat ndaj dhunës në familje”.

Aktorë të shoqërisë civile që punojnë në terren me viktimat e dhunës në familje, kërkojnë të rishikohet ky ligj e konkretisht dispozitat për bashkëshortin dhunues, të përcaktuara në urdhrin e mbrojtjes.

Afroviti Gusho, koordinatore e shoqatës “Unë gruaja” në Pogradec thotë se ligji duhet të përcaktojë në mënyrë taksative që burri të largohet nga banesa pasi sipas saj, shpesh herë urdhrat e mbrojtjes janë të pazbatueshëm.

“Vitet e fundit kemi shifra në rritje të denoncimit të dhunës, por problem mbeten urdhrat e mbrojtjes të cilat përcaktojnë sipas ligjit një distancë të burrit dhunues nga viktima gati 20 metra brenda një banese. Ky është një absurd ndaj ne kemi propozuar që dhunuesi të largohet menjëherë nga banesa”, shprehet Gusho.

Ajo flet për rastet në qytetin e Pogradecit ku shpesh ka ndodhur që është viktima ajo që detyrohet të lërë banesën, dhe zgjidhja që ka ofruar  pushteti vendor në këto raste është një hotel.

“Kemi 2 vjet që negociojmë me bashkinë, në bashkëpunim dhe me PNUD për hapjen e një qendre multidisiplinare”, shprehet Gusho.

Programi i përbashkët i zbatuar në Shqipëri nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë bërë përpjekje për të promovuar barazinë gjinore dhe për të çrrënjosur dhunën me bazë gjinore, por problem mbetet zbatimi i mekanizmit të referimit nga të gjithë aktorët e saj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest