Çeta sjell Motrën Tone në industrinë “call center” me veprën “Buongiorno, vi parla l’Albania”

Foto: Çeta, FacebookFoto: Çeta, Facebook

Çeta, një grup anonim të rinjsh që përdorin “street art” për aktivizëm, realizoi dje në Tiranë veprën e quajtur “Buongiorno, vi parla l’Albania” (mirëmëngjesi , ju flet Shqipëria).

Aktivistët e Çetës kanë sjellë imazhin e Motrës Tone, veprës së famshme të piktorit Kol Idromeno, të vendosur në kontekstin e një prej 25.000 mijë të rinjve shqiptarë që punojnë në industrinë call center.

Në reagimin e publikuar në faqen e Facebook bashkë me veprën ata krahasojnë risinë që solli Motra Tone në  artin shqiptar me grupin e ri të “studentëve punëtorë”, që ka nisur të shfrytëzohet nga sektori privat i call center vitet e fundit.

“Bashkëmoshatarët e motres Tone sot përballen me të vërtetën e hidhur se dijet e fituara me mund dhe diploma universitare, do të jenë fare të panevojshme me klientët matanë detit teksa përpiqen t’u shesin në biseda të stërgjatura në italishten e Pippo Baudos apo Cristina D’Avenës, ushqim për kafshë të ndryshme, sapunë organikë, siguracione makinash, asistenca linjash ajrore, e shumëçka tjetër që ndoshta si hyn në punë as dreqit. Kapanonë të tërë centralistësh që gëlojnë si koshere bletësh në ndërtesa të reja e moderne në qëndër të qytetit, apo skuta ilgale periferish teksa disa të tjerë ofrojnë seksualitetin e tyrë në linja të nxehta telefonike “, thuhet më tej në reagimin e Çetës.

Foto: Çeta- art- collective

Më tej ata denoncojnë kushtet e vështira të punës në këtë industri, duke ngritur në fund një pyetje për të rinjtë shqiptarë:

“Kushtet specifike të punës që ndikojnë drejtpërdrejt në vështirësimin e dëgjimit dhe pamjes, orë ekstra me apo pa pagesë, vonesa për pagat, presioni për të realizuar normat, pamundësia për të ndërvepruar, pamundësia për t’u organizuar, konkurrenca e ashpër, pagat jo të larta dhe mbi të gjitha mungesa e perspektivës, ka prodhuar një tëhuajzim të skajshëm të një brezi të tërë studentësh e të sapo diplomuarish në përballjen e tyre të parë me tregun e punës. Tonet e call-centerave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre. Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë?
Buongiorno signore, come vi posso aiutare?”

Aksioni i grupimit Çeta vjen në kuadër të projektit “Heroes we love” dhe është i mbështetur nga Tirana Art Lab.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest