Podcast: Çfarë mendojnë shqiptarët për Donald Trump?

abc_donald_trump_this_week_jt_130811_33x16_1600

Donald Trump do të jetë zyrtarisht Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 20 janar 2017. Fitorja e tij në garën ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton ka shokuar një pjesë të madhe të publikut, jo vetëm në Amerikë.  Zgjedhjet presidenciale u përcollën me interes edhe në Shqipëri, ku transmetimet live të rezultateve në mediat kryesore lanë pa gjumë të interesuarit.

Të cilësuar shpesh si “populli më pro amerikan në botë”, shqiptarët kanë mbështetur thuajse pa rezerva çdo President të Shteteve të Bashkuara të zgjedhur vitet e fundit.

Por çfarë mendojnë ata për republikanin Donald Trump? Ne intervistuam disa qytetarë mendimet e të cilëve ju ftojmë t’i dëgjoni duke klikuar më poshtë.

 

Fushata e Donald Trump është cilësuar si një lëvizje anti-establishment që nuk kurseu të kthente në armë të tijën gjuhën diskriminuese, racizmin dhe antiemigracionin, parime që vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e politikës së jashtme të Amerikës. Megjithatë Ambasadori Amerikan në Shqipëri Donald Lu i tha shqiptarëve gjatë mëngjesit presidencial se ” Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA, por kjo nuk do të thotë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA”.
Këtë mendim kishte edhe pjesa më e madhe e  qytetarëve të intervistuar, për më shumë ndiqni intervistat:

 

7 premtimet më të “rrezikshme” të Donald Trump gjatë fushatës:

1.Ndërtimi i një “Muri të Madh” dhe deportimi masiv

Fushata e tij filloi me premtimin “do të ndërtojmë një mur të madh në kufirin tonë jugor” dhe “do të detyrojmë Meksikën të paguajë për atë mur”. Ai ka premtuar gjithashtu edhe depërtimin e thuajse 11 milionë emigrantëve që jetojnë pa status ligjor në Shtetet e Bashkuara, si edhe trefishimin e numrit të oficerëve të emigracionit dhe doganave.

2.Ndalimin e hyrjes së muslimanëve në SHBA

Pas atentatit terrorist të 2 dhjetoit 2015 në Kaliforni, Trump bëri thirrje për “një ndalim total dhe të plotë të hyrjes se muslimanëve në Shtetet e Bashkuara, derisa përfaqësuesit e vendit të kuptojnë çfarë po ndodh.”  Ai gjithashtu ka kërkuar mbikëqyrjen dhe mbylljen e xhamive në Shtetet e Bashkuara, dhe ka sugjeruar krijimin e një databaze me të dhënat e gjithë muslimanëve që jetojnë në Amerikë.

3.Shfuqizimi i Obamacare duke e zëvendësuar me një paketë të bazuar në parimet e tregut të lirë

Trump ka thënë se “në ditën e parë të Adiministratës Trump, ne do t’i kërkojmë Kongresit shfuqizimin e menjëhershëm të Obamacare”, dhe to ta zëvendësojmë me një program të ri të bazuar në “parimet e tregut të lirë”. Mbyllja e “Obamacare” nënkupton fundin e sigurimit mjekësor për rreth 16.9 milionë amerikanë.

4.Heqja e taksave

Trump ka premtuar se do të ulë taksat për të gjithë amerikanët duke reduktuar numrin e taksave nga 7 në 3. Sipas planit të tij, 0.1 përqind e taksapaguesve do të përfitojnë më shumë lehtësime taksash se 60 përqindëshi me të ardhura më të ulëta.

5.Anulimi i Marrëveshjes së Parisit për Klimën

Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur realitetin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke shtuar se është një shpikje e qeverisë Kineze për të dëmtuar prodhimin amerikan. Marrëveshja e Parisit është një traktat i nënshkruar nga ekonomitë më të mëdha botërore për t’i dhënë fund lëndëve djegëse fosile në gjysmën e dytë të shekullit në mënyrë që të kufizohet rritja e temperaturave.

6.Përforcimi i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara

Trump ka thënë se ai do ta bëjë ushtrinë amerikane “aq të fuqishme, të madhe dhe të fortë” sa “askush nuk do të ngatërrohet dot me ne”. Ai gjithashtu ka premtuar se do të provokojë Kinën duke rritur prezencën ushtarake në lindje dhe detin kinez, duke shtuar se disa vende pa armë bërthamore duhet të sigurojnë arsenalin e tyre nuklear.

7.Ndërprerja e financimit për prindërimin e planifikuar

Trump ka premtuar se do të ndërpresë të gjithë fondet për këtë politikë e cila u ofron shërbime shëndetësore bazike, përfshirë abortin, miliona grave në SHBA. Trump ka bërë shumë deklarata kundër lirisë së abortit, duke deklaruar madje se gratë që abortojnë duhet të dënohen me ligj. Mundësia që Trump të zgjedhë tre nga emërimet për  Gjykatën e Lartë të SHBA, po rrit shqetësimin për të ardhmen e të drejtës së abortit.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest