Të drejtat e njeriut- offline, online, gjithmonë dhe kudo

technology

Muajin e kaluar, ne morëm pjesë në takimin e pestë vjetor të Koalicionit Freedom Online – një rrjet unik i përbërë prej 30 qeverive. Ai është i vetmi organ i tillë në llojin e vet në nivel global. Në konferencën e tij vjetore – e cila këtë vit u zhvillua në Kosta Rika – qeveritë, akademia, sektori privat dhe shoqëria civile u angazhuan në diskutime dhe procese me qëllim për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë në internet.

Liria e internetit është në rënie. Gjatë viteve të fundit shumë qeveri kanë censuruar informacion me interes publik, autoritetet shtetërore kanë burgosur më shumë përdorues për shkrimet e tyre online, dhe fuqia e mbikqyrjes dixhitale është rritur ndërkohë që ndalimet për mjetet e enkriptimit dhe anonimatit janë bërë më të zakonshme. Ka pasur legjislacion më represiv, dhunë dhe përhapje të propagandës të kontrolluar nga shteti si dhe dezinformacion. Masa të tilla kufizojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në shoqëri, duke minuar vetë themelet e demokracisë.

Kërcënimet me të cilat po ballafaqohemi duhet të shihen si një efekt anësor negativ të zhvillimeve jashtëzakonisht pozitive. Në sajë të internetit dhe mediave sociale, të drejtat e njeriut njihen më gjerësisht në mbarë botën më shumë se kurrë më parë. Ky tregues pozitiv i internetit duhet të ruhet.

Koalicioni Freedom Online luan një rol të rëndësishëm, duke pasur parasysh zhvillimet globale në lidhje me një hapësirë të ​​zvogëluar demokratike dhe të drejtat e njeriut që po shihen me pikëpyetje dhe po sfidohen në të gjitha kontinentet e botës.

Për Suedinë, të drejtat e njeriut janë një gur themeli i politikës sonë të jashtme. Përqasja jonë në çështjet globale të internetit rrjedh nga ky parim. Ne kemi një qasje ndaj të drejtave të njeriut të bazuar në sigurinë kibernetike dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në përgjithësi. Së bashku me Stockholm Internet Forum, Koalicioni Freedom Online ofron një platformë të shkëlqyer për koordinim ndërkombëtar dhe shkëmbim të lirisë në internet.

Baza e qasjes tonë në të drejtat e njeriut është pika e fillimit dhe vlera e shtuar që Suedia sjell në diskutim për çështjet globale të internetit.

Një tjetër element i rëndësishëm për Suedinë është nevoja për të kapërcyer hendekun dixhital gjinor. Ashtu siç ka një ndarje midis atyre që kanë qasje në internet dhe atyre që nuk kanë, ekziston një ndarje e qasjes në internet midis grave dhe burrave. Nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, burrat dhe gratë duhet të kenë të njëjtin akses në internet. Aksesi në internet do të thotë shanse më të mëdha për zhvillimin në të gjitha kuptimet e fjalës. Vendet me një mjedis të lirë dhe të hapur në internet, ku të drejtat e njeriut në internet mbrohen dhe mbështeten, përjetojnë përfitime më të mëdha ekonomike se sa ato vende me një internet që është tepër i kontrolluar ose kur të drejtat e njeriut nuk janë të mbrojtura. Liria e internetit në këtë mënyrë do të thotë ekonomi e zgjuar. Interneti tashmë është infrastruktura qëndrore e botës dhe është në thelb të aktivitetit më të madh njerëzor. Duke kufizuar lirinë e internetit ne po kufizojmë vetë zhvillimin tonë.

Diskriminimi dhe abuzimi me bazë gjinore në internet duhet të marrë fund. Gazetaret femra, blogeret dhe aktivistet kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ngacmimet dhe frikësimet në internet, jo për shkak të asaj që shkruajnë, por për shkak të gjinisë së tyre. Në Suedi, çdo katër gazetare femra kanë vuajtur abuzimin on-line në bazë të gjinisë.

Kjo tregon pse prioritetet e Suedisë janë qëndrore dhe të rëndësishme në diskutimet ndërkombëtare për qeverisjen dhe të ardhmen e një interneti të lirë, të hapur dhe të sigurtë./A.A.

/swemfa.se

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest