Qeveria në bllok për të mbrojtur ministren por jo edhe foshnjën rome që u dogj në kasolle…

digjet-femija

Nga Kristi Pinderi

Eshtë e habitshme si njerëzit e pushtetit, ministra, ministre, ish doganiere, FRESH-istë, drejtorë në Bashki, drejtorë nëpër dikastere, deputete, deputetë , etj, sot nuk i kishin kushtuar as edhe një rresht vdekjes së një foshnje rome një ditë më parë.

Që të gjithë këta njerëz me pushtet, ishin të lënduar për znj. Nikolla dhe ishin bërë bllok për të linçuar Mirelën, një studente që edhe e vetme, edhe pa asnjë pushtet politik mundet ti bëjë më të mira këtij vendi se të gjithë pushtetarët të mbledhur bashkë.

Së pari, falë guximit të Mirelës dhe falë një shisheje me salcë të prishur të përzjerë me ujë, shqiptarët befas kuptuan forcën e revoltës dhe të protestës, kur ajo nuk ushtrohet ose nga Lëvizja Mjaft!, ose nga partitë politike. Apatia që luftoi Mjaft!, në fakt nuk bëri asgjë tjetër veçse e shtoi establishmentin politik me disa emra të rinj që sot janë ose në qeveri, ose në Kuvend, ose në administratë, ose në Bashki. Ndërsa koncepti i protestës që kanë aplikuar partitë është forma më famëkeqe e kundërshtimit që kemi parë në këto 26 vjet.

Ata që e asocojnë veprimin e Mirelës me dhunë, janë njerëz të politikës që kanë 26 vjet që e përdorin vetë dhunën në protesta ose për të ardhur në pushtet apo për të rrëzuar pushtetin, ose për ta mbrojtur pushtetin.

Vras mendjen për të kuptuar nëse freskia e një lëngu të kuq derdhur mbi qafën e zbuluar të ministres është më e dhunshme se, fjala vjen, shkopinjtë e sendet e forta të hedhura ndaj policëve në kohën e Saliut nga njerëz që disa nga ministrat e kësaj qeverie, bashkë me kryetarin e tyre në parti, i quanin kokëpalarë, apo më keq akoma: se plumbat e shkrepur ndaj qytetarëve para Kryeministrisë, e më pas djegiet e makinave dhe prishja e pronës publike,  apo më vonë tritoli në bunkerin para Ministrisë së Brendshme, etj. (për të mos përmendur këtu ato dhjetëra e dhjetëra raste të viteve ’90-të).

Sigurisht, njëri krah i establishmentit politik e ka patur vlerë sublime dhunën, sepse në jo pak raste e ka mbrojtur me dhunë pushtetin, ama krahu tjetër nuk është se nuk e ka provuar dhunën në aksionet e veta… Tani, kanë ndërruar rolet: njëri krah sot flet për dhunën e përditshme të pushtetit ndaj qytetarëve, krahu tjetër (që dhunën e militantëve të vet dikur e quante revoltë të ligjshme popullore) dhunën e sotme arrogante të pushtetit të vet ndaj qytetarit e quan reformë, e aktin demonstrativ të studentes e konsideron dhunë ndaj një zonje!

Pra, akti i Mirelës është një e mirë shoqërore jo pse na ndihmon të riformulojmë konceptin e dhunës, se atë koncept e kanë monopol partitë politike dhe militantët e tyre, por se na shërbeu për të rilegjitimuar konceptin e protestës që ishte përdhosur nga pushtetarët, herë kur ishin në opozitë e herë kur ishin në pushtet.

Së dyti, Mirela e vetme, teksa arrin të mobilizojë e të vendosë në një llogore mbrojtje gjithë qeverinë dhe enturazhin e vet (e njëkohësisht të demaskojë mungesën flagrante të ideve të opozitës) është gjithashtu edhe një çlirim qoftë dhe i përkohshëm dhe psikologjik i shumicës së këtij vendi që ndihet e pafuqishme ndaj padrejtësive dhe ndaj peshës shtypëse të një pushteti që ndërron vetëm emrat, por jo jetët e njerëzve. Shikoni absurdin e pushtetit: bëhen bashkë të gjithë për të mbrojtur ministren e lagur me salcë, por jo ama për të ngushëlluar familjen rome që sot varroste foshnjën 2 vjeçare të djegur në një kasolle…

Empati për ministren bionde, jo për familjen me ngjyrë… Dhe linçim në grup për studenten pa mbrojtje. Nuk gjen dot rast tjetër për të demaskuar një kastë të tillë pushtetarësh! Ndaj, është një shuplakë e nevojshme kjo ngjarje për të na zgjuar të gjithëve.

Së treti, akti i Mirelës ndodhi në momentin më fatlum (për ne si shoqëri) për të kuptuar njëherë e mirë standardet që përdor pushteti dhe establishmenti (përfshirë atë gjyqësor si mëkëmbës i pushtetit në vetvete).

Për shembull, do jetë pafund me vlerë për ne si shoqëri të kuptojmë si do dënohet Mirela që të paktën për një ditë na dha falas ndjenjën e çlirimit ndaj arrogancës së dhunshme që ushtron pushteti dhe establishmenti dhe si do trajtohet ministri Ilir Beqja që e trajton administratës si ngastër ku ai punëson e shkarkon kë të dojë e kush i shërben më shumë. Njëra i ka bërë qartazi një shërbim publik këtij vendi, tjetri i ka bërë qartazi një dëm të madh jo vetëm administratës por edhe besimit të qytetarëve ndaj administratës. Dmth, njëra na ka shërbyer, tjetri kërkon ti shërbejmë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest