Totozani: Gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pabarazi dhe diskriminim

totozani

Avokati i Popullit, me mbështetjen e Entitetit të Kombeve te Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, UN WOMEN organizuan workshopin me temë: “Vërejtjet Përmbyllëse të Komitetit CEDAW për Shqipërinë-plan pune për institucionin e AP, në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse dhe institucionet shtetërore”

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, falënderoi në mënyrë të veçantë z. David Saunders, Përfaqësuesin e UN Women dhe të gjithë stafin e kësaj organizate në vendin tonë, për ndihmën e pakursyer për përgatitjen, përpunimin dhe realizimin final të Raportit “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave” i prezantuar para Komitetit CEDAW, në Gjenevë.

“Gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pabarazi dhe diskriminim”, u shpreh në këtë takim Avokati i Popullit, z. Igli Totozani.

Lidhur me çështjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, Avokati i Popullit theksoi se:  Pavarësisht përmirësimeve të legjislacionit dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, ende nuk është përmbushur përfaqësimi gjinor jo më pak se 30 % për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Gra nga grupet në nevojë si PAK, përfaqësuese të komunitetit romë dhe egjiptian, gratë e ngujuara, etj. janë përballur me pengesa ligjore dhe faktike për të realizuar të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Mungesa e përshtatjes së mjediseve të qendrave të votimit ka sjellë shkeljen e të drejtës për të votuar për PAK. Mungesa e dokumenteve të identifikimit dhe regjistrimit ka vështirësuar pjesëmarrjen e grave rome në zgjedhje. Gratë e ngujuara nuk kanë mundur të gëzojnë të drejtën aktive dhe pasive të votimit.

Përsa i përket aksesit të Grave në sistemin e drejtësisë z. Totozani u ndal në mënyrë të vecantë në një problematikë të mprehtë: Mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore, që lidhen me çështje të rregullimit të pasojave pasmartesore. Kjo gjë që sjell efekte në mënyrë të veçantë tek gratë sepse, në përqindjen më të lartë sipas raporteve te OJF-ve, fëmijët i lihen nënës për rritje dhe edukim. Përveç rritjes së efektivitetit të zyrave përmbarimore në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, kërkohen masa pozitive nga shteti në lidhje me garantimin e detyrimit ushqimor për fëmijët nga ish bashkëshorti.

Duke folur për fuqizimin ekonomik të  grave, Avokati i Popullit tha se shpesh kemi trajtuar ankesa dhe kemi bërë rekomandime për gra kryefamiljare të përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike. Në shumë raste i kemi zgjidhur këto ankesa. Ndërkohë jemi të bindur se ndihma aktuale ekonomike është e pamjaftueshme për të adresuar nevojat e grave kryefamiljare, grave rome apo atyre nga grupe të tjera vulnerabël, si viktima të dhunës në familje apo viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Për këtë arsye kemi kërkuar me insistim llogaritjen dhe shpalljen e nivelit minimal të standardit të jetesës në Shqipëri. Mungesa e këtij minimumi jetik mbetet një pengesë shumë e madhe, në përcaktimin e politikave sociale që ndjek shteti për grupet në nevojë, përfshirë këtu edhe gratë. Në studimin e kryer nga ekspertë të ekonomisë të kontraktuar nga institucioni ynë u përllogarit se 16,000 lekë për frymë në muaj është kostoja që shteti duhet të paguajë që një njeri t’i shpëtojë varfërisë ekstreme. Mendoni se sa e vlefshme do të ishte ndihma ekonomike për gratë në nevojë e përllogaritur mbi bazë të këtij minimumi jetik.

Avokati i Popullit z.Igli Totozani u ndal edhe në rastet e dhunës në familje. Aktualisht rezulton në rritje numri i bashkive në të cilat është ngritur Mekanizmi i Koordinimit dhe Referimit të rasteve të dhunës në familje, por sipas z. Totozani, ky Mekanizëm është e domosdoshme të ngrihet në 61 bashkitë e vendit.

Në disa nga bashkitë e vendit ku janë ngritur këto mekanizma, qasja multidisiplinare nuk rezulton e shpejtë dhe efektive. Koordinatorët kundër dhunës në familje janë ngarkuar edhe me përgjegjësi të tjera, gjë që ka ulur efektivitetin në punën e tyre në menaxhimin e rasteve të dhunës në familje.

Në nivel vendor, mungojnë shërbime si akomodimi, linja telefonike 24 orëshe, programe rehabilitimi, etj., duke vështirësuar  përmbushjen e përgjegjësive nga anëtarët e MKR. Mungojnë programet e rehabilitimit për dhunuesit në nivel vendor, ndër të tjera, sepse çështjet gjinore nuk buxhetohen në nivel vendor.

Ndërsa, lidhur me çështjen e aksesit të grave në shërbimet sociale, Avokati i Popullit përmendi  rekomandimin e bërë që përfitimi i pensionit social, të fillojë me lindjen e së drejtës për përfitim të pensionit dhe jo në moshën 70 vjeç. Zbatimi i këtij rekomandimi do të sillte efekte mbështetëse tek gratë e moshuara, të cilat nuk kanë paguar kontribute dhe nuk kanë pasur mundësi të sigurohen vullnetarisht./A.A.

/kohajone.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest