Rikthehen protestat e çiklistëve në Tiranë për lirimin e korsive të biçikletave

14566283_1339681839385042_5147978179363720840_o

Aktivistët e Ecovolis i janë rikthyer nismës së tyre “Liro korsitë”. Së bashku me dhjetëra qytetarë, çiklistët pedaluan dje që nga Pallati i Kongreseve, përpara bashkisë Tiranë e deri në rrugën e Durrësit ku bllokuan korsitë e biçikletave.

Protesta për korsitë e bllokuara dhe korsitë e munguara erdhi pas vdekjes së një 10-vjeçari pak ditë më parë në fshatin Prush të Tiranës si pasojë e goditjes nga një makinë.

Përpara bashkisë së Tiranës aktivistët kërkuan të mbahet fjala e dhënë për lirimin dhe krijimin e korsive të reja të biçikletave.

“Po rrezikojmë jetën çdo ditë! Nuk duam mëshirë, duam atë që na takon si qytetarrë dhe përdorues të rrugës. Siç kemi rrugët e makinave, po aq të rëndësishme duhet të kemi edhe rrugët e biçikletave”, tha aktivisti Irdi Ismaili.

Protesta “Tirana është bërë për spital” kishte gjithashtu në fokus ndikimin që ka ndotja e ambientit në jetën e qytetarëve.  “Çiklistët janë qytetarët që sot më shumë se kurrë i duhen Tiranës për ajrin e pastër. Tirana është bërë për spital, tymi po merr jetën e qindra qytetarëve çdo vit”.

Aktivistët e Ecovolis thanë se janë më të vendosur se kurrë për të fituar respekt në rrugë, sigurinë për jetën dhe Tiranën pa tym. /m.g/

Video dhe Foto Ecovolis

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest