Po sikur të mësojmë vajzat të jenë të guximshme, në vend që të jenë perfekte?

14522524_1113164025434394_138137296_o

Në vitet 70, një psikologe e Universitetit të Columbia realizoi një seri eksperimentesh me vajza dhe djem të vegjël që patën rezultate surprizuese. Kjo psikologe punoi me nxënës të klasës së pestë, për të parë se si përballeshin me materialet e reja dhe të ndërlikuara. 

Atëherë ajo kuptoi se vajzat kishin më tepër prirje për ta braktisur detyrën dhe e bënin këtë, mesatarisht, më përpara se djemtë. Çuditërisht, sa më të shkëlqyera në mësime të ishin vajzat dhe sa më i lartë koeficienti i tyre intelektual, aq më shpejt dorëzoheshin ato. Këto vajza shfaqnin një sjellje të mësuar ku mungonte vetëmbrojtja. 

Djemtë e shkëlqyer në mësime u sollën në tjetër mënyrë. E morën aktivitetin si një sfidë intelektuale që i mbushi me energji dhe i motivoi të dyfishonin përpjekjet e tyre. 

Çfarë ndodhi? Pse vajzat e vogla tregohen më të ndjeshme dhe me më pak besim tek vetja krahasuar me djemtë e po të njëjtës moshë?

Në fakt, në klasë të pestë pjesa më e madhe e vajzave janë më përpara se djemtë gati në të gjitha lëndët, përfshirë matematikën. Prandaj, diferenca në sjelljen e tyre nuk ka të bëjë me mungesën e aftësisë apo me njohuritë e fituara, por me mënyrën si përballen me sfidat. 

Ndërkohë që djemtë pranonin se nuk mund të zgjidhnin problemet matematikore sepse ishin të ndërlikuara, vajzat fillonin të dyshonin shumë shpejt për aftësitë e tyre, humbisnin besimin dhe braktisnin detyrën. Gjithashtu, këto vajza mendonin se aftësitë ishin statike, ndërkohë që djemtë mendonin se mund të zhvillonin aftësitë nëpërmjet përpjekjeve. 

Më e keqja është se ky mendim dhe mënyrë sjelljeje ruhen edhe në moshë të rritur. Në fakt, është parë se meshkujt prezantohen për të marrë një vend pune edhe po të kenë vetëm 60% të aftësive të kërkuara. Nga ana tjetër, femrat guxojnë të paraqiten për një vend pune vetëm nëse kanë 100% të kualifikimeve.

Si është e mundur që të kemi sjellje kaq të ndryshme përballë sfidave?

Përgjigja gjendet te edukimi, një edukim që i ka mësuar djemtë të jenë të guximshëm dhe të përballen me sfidat, ndërsa vajzat i ka mësuar të jenë perfekte dhe të sillen me kujdes.

Djem të guximshëm, vajza perfekte…

Është e vështirë, ose thuajse e pamundur, të fshish shekuj të tërë tradite. Megjithëse kemi përparuar shumë për sa i përket barazisë gjinore, në subkoshiencën kolektive dhe në mendjet tona akoma ka shumë ide seksiste. 

Prandaj, prindërit vazhdojnë t’i edukojnë djemtë që të mos kenë frikë dhe mos të qajnë, ndërkohë që vajzave u kërkojnë që mos të jenë të çrregullta, që të jenë perfekte dhe të sillen në mënyrë të matur. 

Ende edukojmë djem që, me pak fat, do të shndërrohen në gentleman që shpëtojnë vashëzat në probleme. Dhe edukojmë vajza që shpresojnë të vijë dikush t’i shpëtojë, sepse misioni i tyre nuk është të luftojnë, por të ruajnë perfeksionin pavarësisht stuhisë. 

Vajzave u mësohet të buzëqeshin, u kërkohet që të marrin nota të mira dhe u ndalohet të shkojnë në shtëpi me baltë nga loja. Me djemtë prindërit zakonisht janë më tolerantë, i lejojnë të luajnë jashtë, të bëhen pis dhe të hipin në pemë. Në fakt, shumë prej këtyre sjelljeve shpërblehen pasi tregojnë se sa të guximshëm janë. Kështu, u jepet kurajo që të përballen me rrezikun. 

Nga ana tjetër, i shtyjmë vajzat që të ruhen nga rreziku, u kërkohet që të rrijnë në një plan të dytë diskret, të sigurta dhe brenda zonës së tyre të komfortit. Shpesh i lavdërojmë për sjelljen e mirë, që gati gjithmonë lidhet me të ndejturit në heshtje, si dhe për simpatinë e tyre. Kështu, pa dashje, prindërit kufizojnë potencialin e vajzave, të cilat shumë shpejt mësojnë se prej tyre nuk priten të njëjtat gjëra si nga djemtë. 

Kështu, shumica e vajzave shndërrohen në gra që marrin përsipër vetëm risqet e pashmangshme dhe që, përpara problemeve, mendojnë se ka diçka që nuk shkon me to. Prandaj, nuk është e çuditshme që të vuajnë më tepër nga depresioni dhe ankthi krahasuar me meshkujt. 

Por, kur i mësojmë vajzave që të jenë guximtare dhe formojmë rreth tyre një rrjet mbështetje që t’u japë kurajo, do i lejojmë të bëjnë gjëra të pabesueshme sepse kanë një potencial të pamasë. 

Kjo video tregon se sa rrënjë kanë zënë stereotipet mbi gjininë, por gjithashtu tregon se vajzat e vogla ende nuk janë prekur prej tyre. Kjo video është shumë e bukur, pasi na kujton se dhurata më e mirë që mund t’i bëjmë çdo fëmije është thjesht t’i lëmë të jenë vetja./A.A.

/biskota.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest