Vdes nëna dhe foshnja, përfaqësuesit e spitaleve akuzojnë njëri-tjetrin

qsut1

Një 35- vjeçare shtatzënë dhe foshnja e saj e palindur kanë ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit në maternitetin “Koço Glozheni” në Tiranë. Familjarët e të ndjerës akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe papërgjegjshmëri këtë, duke rrëfyer se si i kanë detyruar të sorrollaten nga një spital në tjetrin.

Rrëfimi i kunatit të 35- vjeçares:

“Mbrëmë ka shfaqur komplikacione, tension, këputje dhe dhimbje. Pati komplikacione në shtëpi. E morëm me makinë e sollëm me urgjencë, as 10 minuta nuk mbajti rruga. As semaforët nuk i kemi respektuar. E zbritëm nga makina dhe e çuam në urgjencë. Ishte e mbyllur me kyç, pritëm 20 minuta për t’u hapur. Kunata ime nuk kishte as ku të ulej, s’kishte as stol, kishte të vjella. Infermierja merr doktoreshën dhe i thotë hajde se kam një paciente dhe nuk i duroj dot të vjellat. Pas 30 min vjen mjekja dhe një doktor. E fusin brenda e pyesin. I thotë që kishte dhimbje në krahun e majtë. Thanë që është për QSUT”

Pasi i kanë bërë analizat e zemrës tek QSUT dhe i kanë matur tensionin, gruaja është dërguar në Sanatorium pasi dyshohej për ftohje. Edhe atje i kanë bërë analizat dhe ka rezultuar mirë. Pasi e kanë sorollatur nga njëri spital në tjetrin, e ndjera është dërguar sërish në maternitet për të lindur fëmijën.

“Vijmë sërish tek materniteti rreth orës 2 të mëngjesit. Kemi ardhur këtu me ambulancë, me oksigjen dhe me shoqërues doktoresha e Sanatoriumit. Kemi ndenjur 20 minuta me ambulancë me dyer të hapura, sepse nuk kishte barelë, nuk kishte njerëz, nuk kishte spitali oksigjen. Thoshin e kemi lart dhe për të marrë oksigjenin i duhej 20 minuta. E futëm brenda, pas 2 orëve ka ardhur kirurgu”, tregon kunati.

Sipas tij, gruaja është futur në operacion në 5 të mëngjesit.

“Mjekët na thonë se fëmija është i vdekur, të shpëtojmë nënën. Bënë dhe ekon, pas 8 orësh dhe zbuluan se fëmija kishte vdekur dhe thanë të shpëtojmë të madhen. Është futur në 5 në sallë dhe në 5 e 20 ajo ka vdekur, ndoshta pa e prekur doktorët me operacion. Doktorët na e komunikuan në 6 e ca kur ajo kishte 1 orë që kishte vdekur”, përfundon rrëfimin kunati i të ndjerës

Përfaqësuesit e QSUT dhe maternitetit “Koço Glozheni” fajësojnë njëri – tjetrin

Burime pranë QSUT kanë thënë për gazetën “Shëndet +”  se gruaja është dërguar në QSUT nga materniteti në gjendje shumë të rëndë pasi ajo ishte në muajin nëntë të shtatzënisë. Sipas tyre përfaqësuesit e maternitetit duhet të njoftonin kardiologun dhe jo të transportonin gruan në QSUT.

Nga ana tjetër mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, heqin përgjegjësinë nga vetja e tyre për vdekjen e 35-vjeçares dhe fajësojnë mjekët e QSUT-së. Sipas gazetarit Erjon Skëndaj mjekët e maternitetit kanë pohuar se guraja ka pësuar hemorragji të rëndë nga çarja e shpretkës, gjë që duhet të ishte konstatuar nga QSUT.

“I është nënshtruar ekos, por nuk kanë kuptuar çarjen e shpretkës. Sipas tyre ka ardhur në 4 të mëngjesit nga sanatoriumi jo në 2. Në qëndrimin jozyrtar të mjekëve thuhet se nuk ka pasur vonesë. Ata thonë se çarja e shpretkës mund të konstatohet vetëm përmes skanerit dhe materniteti nuk ka skaner. Sipas tyre mjekët e QSUT duhet t’i kishin bërë skaner”.

Përtej akuzave, ajo që mbetet në fund e që duhet të na shqetësojë të gjithëve është se një nënë shtatzënë humbi jetën së bashku me fëmijën e saj të palindur për shkak të paaftësisë dhe problemeve të sistemit shëndetësor. Familjarët tregojnë se urgjenca ishte e mbyllur, mjekëve dhe infermierëve iu duhen 30 minuta që të paraqiten në vendin e punës, ambulanca nuk ka barelë, spitali nuk ka oksigjen dhe kirurgu do dy orë të vijë për operacionin.

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest