Luksemburgu kërkon përjashtimin e Hungarisë nga BE: i trajton refugjatët më keq se kafshët!

fence-648269

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborb apelon që Hungaria të përjashtohet nga Bashkimi Europian për shkak të qasjes armiqësore në çështjen e refugjatëve.

“Çdokush që si Hungaria, ndërton gardhe kundër refugjatëve që ikin nga lufta ose shkel lirinë e medias dhe pavarësinë e gjyqësorit, duhet të përjashtohet përkohësisht dhe nëse është e nevojshme edhe përgjithmonë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai për gazetën gjermane Die Welt.

Asselborn bëri thirrje për ndryshime në rregullave të BE-së në mënyrë që të bëhet më i lehtë përjashtimi i Hungarisë ndërsa e cilësoi këtë masë “si të vetmen rrugë për të ruajtur kohezionin dhe vlerat e Bashkimit Europian”.

Human Rights Watch, gjithashtu, i kërkoi BE-së që të përdorë “fuqitë e saj ligjore” kundër Budapestit pas dokumentimit të abuzimit me azilkërkuesit që tregon se shkelen detyrimet ligjore të Hungarisë sipas ligjit Europian dhe atij ndërkombëtar.

Organizata gjithashtu, ka shprehur alarmin e krijimit të një fushatë kundër emigrantëve të orkestruar nga qeveria e Viktor Orban që synon rezistencën ndaj çdo përpjekjeje për të vendosur kuota të detyrueshme për pranimin e azilkërkuesve nga shtetet anëtare të BE.

Më 2 Tetor, Hungaria pritet të mbajë një referendum për rialokimin e refugjatëve, që përfshin pranimin e 1294 azilkërkuesve në Hungari. Qeveria e Orbán ka shpërndarë një fletëpalosje prej 18 faqesh për miliona hungarezë me anë të së cilës apelon qytetarët të refuzojnë planin e rialokimit, për shkak se “rrezikon kulturën dhe traditat tona”.

Aktivistët pë të drejtat e njeriut e kanë akuzuar BE-në se po qëndron e heshtur përballë retorikës së ashpër të qeverisë hungareze. Megjithatë, ata nuk janë dakord edhe me përjashtimin e Hungarisë nga BE pasi do të bënte më shumë dëm sesa mirë.

Retorika e Hungarisë për refugjatët, e izoloi Hungarinë në kulmin e krizës së refugjatëve në shtator 2015, por që prej atij viti, Orban është shndërruar në një figurë të paparashikueshme në politikën europiane. Austria  e cila më herët ishte në krah të Gjermanisë duke pritur me dashamirësi refugjatët, tashmë qëndron me Hungarinë duke kërkuar një zgjidhje të stilit austriak për krizën e refugjatëve.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest