Panik nga mosinformimi apo shkatërrim i sistemit universitar?

14237605_1103840466370719_7378292649099302141_n

Për herë të parë Ministria e Arsimit u dha të drejtë Universiteteve Jopublike të jenë pjesë e formularit A1 ku studentët rankojnë 10 zgjedhjet e tyre për programe studimi.

Vetëm më 16 qershor (rreth një muaj pasi maturantët zgjodhën lëndët për provim), në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit u publikuan kriteret-dhe-formulat-e-pranimit-ne-universitete. Analiza e kushteve për t’u pranuar në universitetet private dhe publike, që përgjithësisht ofrojnë të njëjtat programe studimi, nxjerr në pah të dhëna interesante.

1. Diferenca e kritereve mes universiteteve private dhe publike: 

Universiteti i Mjekësisë Tiranë ka përcaktuar notën mesatare 8.5 si kusht për të aplikuar në degët “Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci, Stomatologji” dhe notën mesatare 8 për degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.

mjekesia-publike-kriteret
Foto: Kriteret e pranimit në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, të publikuara në faqen e Ministrisë së Arsimit

Ndërsa Universiteti Aldent që ofron 7 programe studimi të njëjta me Universitetin publik të Mjekësisë, ka vendosur si kusht hyrës vetëm notën mesatare 6 që është nota më e ulët e përcaktuar sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave.

mjekesia-private-kriteret
Kriteret e pranimit në Universitetin Aldent

Një tjetër dallim është se pjesa më e madhe e universiteteve private i kanë kushtuar rëndësi të lartë (rreth 70%) mesatares së gjimnazit duke i lënë një përqindje të ulët grup lëndëve të profileve të ndryshme. Madje disa prej tyre kanë përshirë kritere të reja pranimi, si intervistat, CV-të, letrat e motivimit apo esetë që nuk listohen në asnjë prej universiteteve publike.

Duhet thënë se asnjë universitet privat (me përjashtim të SHLUJ Epoka), nuk ka shkuar më tej se mesatarja 6 (e detyruar nga VKM) në përcaktimin e kritereve hyrëse për programet e studimit.

2. Disa universitete private nuk kanë publikuar asnjë kriter pranimi:

Në këtë dokument bie në sy mungesa e kritereve të pranimit në ciklin e parë të studimeve nga ana e Universitetit Europian të Tiranës. Nga ky universitet gjenden vetëm disa të dhëna mbi programet master, edhe këto të pasqaruara në përqindje.

uet-kriteret

new-york-kriteret
Kriteret e publikuara nga universiteti Europian dhe ai i New Yourkut

E njëjta gjë ndodh edhe me Universitetin New York të Tiranës ku sqarohet vetëm kriteri i nivelit të gjuhës së huaj që është i njëjtë për të gjithë fakultetet, por nuk jepet asnjë informacion mbi kriteret e pranimit në programet e studimit të nivelit të parë dhe të dytë.

Prindërit e maturantëve flasin për Historia Ime:

Publikimi i listave paraprake ka krijuar pakënaqësi tek shumë maturantë. Gjatë dy ditëve të fundit ata janë organizuar në protesta përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, të mbështetur edhe nga lëvizja studentore “Për Universitetin” e cila prej dy vitesh e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme reformën në Arsimin e Lartë.

Të pranishëm në këto protesta kanë qenë dhe prindër të maturantëve të cilët shprehen të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve. Gjithnjë e më shumë ata po konsiderojnë mundësinë që t’i regjistrojnë fëmijët në Universitete Private duke sfiduar vështirësitë ekonomike.
Për më shumë dëgjoni këtë bllok intervistash ku prindërit e maturantëve shprehin shqetësimin e tyre:

 

Çfarë mendojnë maturantët?

Kriteret e pranimit në universitetet private janë shumë më të ulëta dhe të arritshme se në ato publike, kjo ka bërë që shumë studentë të shpallen fitues vetëm nëse kanë zgjedhur universitete jopublike. Disa maturantë thanë për Historia Ime se ky proces i ri përzgjedhjeje, i shoqëruar edhe me një mungesë informacioni nga ana e MAS, po orienton drejt universiteteve private. Në intervistat e mëposhtme ata tregojnë se ndodhen mes panikut se mos mbeten pa shkollë dhe rrethanave që po i shtyjnë drejt arsimit privat.

Si funksionon sistemi i ri i shpërndarjes së të drejtave të studimit?

Numri i maturantëve që kanë fituar të drejta studimi në universitete private është shumë i lartë. Kjo ndodh sepse një pjesë e tyre (ata me mesatare më të lartë) kanë fituar 10 të drejta studimi të cilat do të mbeten të zëna deri më 20 shtator, kur është afati që ata të zgjedhin degën që duan të vazhdojnë. Ndërkohë maturantët e tjerë që nuk kanë fituar degën që preferojnë, do të duhet të heqin dorë nga të drejtat e studimit që kanë fituar nëse duan të vazhdojnë konkurrimin.

Për ta ilustruar me një shembull:

Një maturant ka aplikuar në 10 lëndë, ndërmjet të cilave shtatë publike dhe tre private dhe ka fituar preferencën e gjashtë nga publiket dhe të treja programet në universitetet private. Nëse  do të dojë të vazhdojë konkurrimin i duhet të heqë dorë nga të drejtat e studimit që ka fituar dhe të futet edhe një herë në garë. Kjo mund ta trembë studentin duke e orientuar atë drejt regjistrimit në universitetin privat.

Një tjetër situatë është ajo e studentëve që kanë fituar vetëm të drejtat e studimit në Universitetet Private të cilët nga frika se mund të mbeten pa shkollë dhe mungesa e sqarimit nga ana e Ministrisë së Arsimit mbi numrin e raundeve të konkurrimit, mund të orientohen drejt universiteteve private.

Çfarë ka ndryshuar nga një vit më parë?

Pasi studentët regjistrohen dhe ngarkojnë të dhënat në sistem ata kanë të drejtë të zgjedhin deri në 10 programe studimi ku përfshihen ato të ofruara nga universitetet private dhe publike. Pra ndryshimi i parë është se në listën me 10 preferenca përfshihen edhe programet e ofruara nga universitetet private.

Ndryshimi i dytë, i cili është edhe shkaku pse shumë studentë kanë mbetur pa të drejta studimi ka të bëjë me atë që është quajtur faza e parë e përzgjedhjes. Nëse një vit më parë maturantët me rezultate më të larta fitonin automatikisht preferencën e parë, këtë vit të 10 preferencat e listuara konsiderohen si të barabarta. Kjo ka bërë që studentët me rezultate më të larta të shpallen fitues në 10 degë, duke zënë kështu përkohësisht 10 të drejta studimi.

Në përfundim të fazës së parë, kur studentëve që kanë fituar iu duhet të zgjedhin vetëm njërën nga degët, fillon faza tjetër, ajo e rishpërndarjes së të drejtave të studimit, ku maturantëve do u duhet të garojnë sërish me të njëjtat kritere.

Kritere të reja që duheshin njoftuar që në vitin 2013: 

Këtë vit janë vendosur dy kritere të reja për pranimin në universitet, mesatarja mbi notën 6 si kusht për vazhdimin e një shkolle të lartë dhe mesatarja e grup lëndëve specifike që përkojnë me profilin e degëve në universitet.

Pra nëse një maturant kërkon të aplikojë në Fakultetin e Drejtësisë, 50% të rëndësisë në renditjen e tij kanë rezultatet që ka marrë gjatë tre viteve në lëndët Histori, Qytetari, Gjuhë- Letërsi, Ekonomi dhe Psikologji. Por nëse gjatë tre viteve të gjimnazit ai ka studiuar si lëndë me zgjedhje matematikën apo biologjinë është automatikisht i penalizuar në procesin e konkurrimit, pavarësisht rezultateve.

 

*Lorin Kadiu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest