“Kush e vrau Arditin?”, aktivistët pyesin Bashkinë dhe organizohen në protestë

14089226_963498280442358_3542819380990254826_n

Vdekja e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, që punonte në të zezë në landfillin e Sharrës ka ngritur një valë reagimesh të qytetarëve dhe aktivistëve drejt Bashkisë së Tiranës, institucion të cilin e konsiderojnë përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë.

Aktivistët e Organizatës Politike prej disa ditësh shkruajnë në pjesë të ndryshme të Tiranës parulla me  mesazhe të forta si, “Mos hesht për Arditin” apo “Oferta pune në Sharrë, mosha 10 – 17 vjeç”.

Parullat e  shkruara në Tiranë/ Foto: OP

Grafiti që jetoi vetëm pak orë

Një prej këtyre mesazheve, konkretisht pyetja “Kush e vrau Arditin?”, u shkrua një natë më parë në murin e godinës së Bashkisë, por u fshi në një kohë shumë të shkurtër. Nuk kaloi shumë dhe aktivistët nxituan ta shkruanin përsëri disa orë më vonë.

“Përtej ruajtjes nga policë të shumë të qendrës së Tiranës si në shtetrrethim dhe rojeve speciale të Bashkisë, aktivistët e Organizatës Politike arritën ta bënin sërish pyetjen retorike në muret e kullës së kryetarit Veliaj: “Kush e vrau Arditin?”. Edhe pse Veliaj përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë duke kapur për fyti mediat, shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të pushteteve publike, i themi se e ka të kotë, pasi nuk do të mundet. Nuk ka mjaftueshëm pará dhe pranga për t’u kyçur gojën Arditëve të tjerë. Arditëve, që njësoj si djaloshi 17-vjeçar janë të varfër, periferikë, nga familje punëtore dhe që kanë zgjedhur të luftojnë çdo ditë jo vetëm kundër vdekjes, por edhe kundër vrasësve të tyre, që i gjen në majat më të larta të biznesit dhe politikës”, shkruhet në njoftimin që shoqërohet me fotot e grafitit të rishkruar.

Aktivistët bëjnë thirrje për protestë përpara Bashkisë së Tiranës 

Përmes këtyre mesazheve Organizata Politike, një grup rinor aktivistësh të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve,  kërkon të nxisë qytetarët t’i bashkohen në protestën e quajtur “Stop kampeve të vdekjes!”, që do të organizohet nesër në orën 17:30 përpara Bashkisë së Tiranës.

14089226_963498280442358_3542819380990254826_n

“Kërkojmë llogari për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë!
Kërkojmë t’i jepet fund skllavërimit në punë, si në landfill, fasoneri, call-center, kantier ndërtimi, miniera etj!
Kërkojmë nga media, prokuroria, shoqëria civile dhe opinioni publik t’i japin fund heshtjes që vret përsëdyti!

Nesër, ora 17:30, para Bashkisë së Tiranë!”, shkruhet në njoftimin e protestës.

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest