Bashkia kërcënon aktivistët që kërkojnë strehim dinjitoz për komunitetin Rom

13410541_10156934524685307_683214618_o-500x300

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ashpërsuar tonet kundër aktivistëve të shoqërisë civile që kërkojnë strehim dinjitoz për familjet e komunitetit rom që preken nga plani për rehabilitimin e Lumit të Tiranës.

“Cilado organizatë apo shoqatë, avokat i cili faturon rrogën e tij të majme në kurriz të këtij komuniteti duke i manipuluar ata, duke i kërkuar të vazhdojnë të bëjnë qëndresë brenda në shtratin e lumit, do të përballet me drejtësinë”,  thuhet në deklaratën e publikuar nga Bashkia ditën e hënë.

Grupime të ndryshme aktivistësh janë përpjekur të organizojnë banorët në rezistencë për të ushtruar presion mbi bashkinë që kjo e fundit të respektojë parimin kushtetues të “dëmshpërblimit të drejtë” në rastin e shembjes së shtëpive me dokumenta pronësie të rregullta.

“Bashkia e Tiranës u ka ofruar dy mundësi strehimi familjeve që jetojnë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve në shtratin e lumit: bonusin e qirasë ose strehimin në Qendrën Tranzitore të Emergjencave,” thuhet në deklaratën e Bashkisë, por nuk thuhet se bonusi i qirasë vlen vetëm për një periudhë 2-vjeçare dhe është një zgjidhje e përkohëshme që i bën këta banorë automatikisht të pastrehë në plan afatgjatë. Ndërkohë që Qendra Tranzitore e Emergjencave, një ish-bazë ushtarake pranë Shish Tufinës në Tiranë, nuk përbën realisht ofertë për shkak se aktualisht nuk ka asnjë mjedis të lirë, shkruan “Reporter.al”.

Reagimi i aktivistëve të shoqërisë civile:

Disa aktivistë të angazhuar me këtë çështje, të pyetur nga BIRN i kanë hedhur poshte kërcënimet e Veliajt duke i quajtur fjalë boshe.

“I konsiderojmë këto deklarata të Bashkisë si presione kundrejt shoqërisë civile për shkak të përpjekjeve të saj për të mbështetur grupet dhe komunitetet në nevojë. Duhen pyetur me detaje drejtuesit e Bashkisë: Për çfarë do të akuzohen “përpara drejtësisë” zërat kritikë? Për mosrënie dakord me Bashkinë? Duket e padrejtë që fuqia që ka Bashkia për ta tejçuar qëndrimin e vet në media shpesh përdoret për të eklipsuar qëndrimet e zërave kritikë,” tha për BIRN, Vasilika Laçi nga Civil Rights Defenders, një organizatë ndërkombëtare me seli qendrore në Suedi që lufton për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Dorian Matlija, avokat i të drejtave të njeriut i cili ka punuar mes të tjerash për çështje të tilla si Gërdeci dhe vrasjet e 21 janarit, e konsideron absurd kërcënimin e Veliajt ndaj aktivistëve. Sipas tij, organizatat joqeveritare janë angazhuar për të mbrojtur të drejtat e komunitetit rom dhe shkaku kryesor për këtë angazhim është se familjeve të prekura nuk iu është njohur e drejta për dëmshpërblim për banesat e tyre.

“Bashkia nuk u ka kthyer përgjigje këtyre organizatave dhe i vetmi reagim që pritet është të dërgohen çështjet në gjyq. Pra rezistenca e vetme që po bën komuniteti rom është të përballë Bashkinë me drejtësinë. Këtu qëndron edhe absurdi, sepse Bashkia po kërcënon me përballje me drejtësinë këdo që kërcënon Bashkinë me përballje me drejtësinë,” tha Matlija për BIRN.

Aktivistja Romina Sefa i tha BIRN se sfidat  me të cilat përballet komuniteti rom kërkojnë bashkëpunim nga të gjithë aktorët, por kryetari i bashkisë nuk han arsye në këtë drejtim.

“Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të shoqërisë është pikërisht çelësi që mund të shmangë situatën e rënduar të këtij komuniteti. Ndërkohë ajo çfarë Veliaj thotë duket shumë kontradiktore,” tha Sefa.

Aktivistët e Organizatës Politike, një grup rinor aktivistësh i angazhuar në çështjen studentore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  publikoi një deklaratë ku dënohen kërcënimet e Veliajt dhe theksohet se ata “nuk i tremben presionit të Bashkisë në emër të drejtësisë”.

“Nëpërmjet politikave të saj, si në rastin e strehimit e komunitetit rom dhe egjiptian, të shitësve ambulantë apo mbledhësve të materialeve të riciklueshme, Bashkia e Tiranës po kriminilizon të varfrit dhe komunitetet më të margjinalizuara të shoqërisë, duke i përjashtuar e duke ia pamundësuar gjithnjë e më shumë ndërtimin e një jete me dinjitet si të barabartë”, vijon më tej deklarata.

Pak ditë më parë, një grupim aktivistësh politik i quajtur “Çeta” vendosi një rikrijim simbolik të veprës “Mic Sokoli” në murin e një prej shtëpive që pret të shembet tek zona e Bregut të Lumit.

Bashkia e Tiranës për të disatën herë brenda dy viteve po përplaset me qytetarët dhe aktivistët për mos respektimin e standardeve ligjore në shembjen e banesave dhe dëbimet e njëpasnjëshme të komunitetit Rom.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest