“Çeta” vendos Mic Sokolin përpara buldozerëve tek “Bregu i Lumit”

13653499_653440228146624_7112205335834763447_o

Pasditen e së enjtes, aktivistët e Çetës” të armatosur me kova vinovili dhe furça, nisen për aksionin e radhës.  Këtë herë do të shkojnë tek “Bregu i Lumit”, zonë ku banesat e ndërtuara prej dekadash nga familje të varfra, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, kërcënohen me shembje nga fadromat e bashkisë.

Për t’i mbrojtur këta banorë nga sulmi që mban emrin “Rehabilitim i shtratit të lumit”,  Çeta e aktivistëve ka zgjedhur të  vendosë rikrijimin e veprës ikonike të piktorit Sali Shijaku, Mic Sokolin, këtë herë jo përballë topit por përpara eskavatorëve dhe fadromave.

“Çeta lindi si një nevojë e bashkëpunimit midis artit dhe aktivizmit politik, një grup prej 12 personash me profile të ndryshme, studentë të shkencave sociale, fizikës, arkitekturës dhe akademisë së arteve që përdor artin e rrugës si mjet për rivendosjen e së drejtës mbi hapësirat publike dhe kritikën ndaj Neo- Liberalizmit”, tha një prej aktivistëve.

Kjo vepër e quajtur “Epopeja e eskavatorit” lindi si një histori koicidencash mes mendjeve që mendojnë njëlloj, pavarësisht se janë në skaje të kundërta të globit.  Raino Iisto, një historian arti amerikan i apasionuar me artin e pas luftës në Evropën Lindore, tregon si lindi ideja e veprës:

“Kam punuar përpara disa vitesh në Shqipëri dhe pas largimit gjithmonë jam interesuar mbi ngjarjet kulturore që ndodhin këtu. Kështu rashë në kontakt me “Çetën” përmes rrjeteve sociale, dhe i frymëzuar nga një prej aksioneve të mëparshme i dërgova një skicë timen ku pasqyrohej Mic Sokoli i Sali Shijakut përpara eskavatorit, por doli që djemtë e Çetës kishin pasur të njëjtën ide dhe kështu lindi bashkëpunimi.”

Për të mësuar më shumë rreth grupimit “Çeta” dhe veprës “Epopeja e Eskavatorit” ju ftojmë të dëgjoni podcastin e mëposhtëm me intervista nga një prej aktivistëve të grupit dhe bashkautorit të veprës Raino Iisto.

*Lorin Kadiu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest