Përgjigje zonjës Mesila Doda

MESILA-DODA-MAJLINDA-BREGU1

Kemi ndjekur me vëmëndje dhe kënaqësi të veçantë dje fjalimin e deputetes katolike që mbron të drejtat e çamëve, të katolikëve dhe të burrave e grave me namuz, znj. Mesila Doda.

Ne prisnim të dëgjonim nga grupi parlamentar i PDIU, grup tek i cili është katapultuar deputetja e njohur nga shqiptarët për përdorimin e palmave në retorikën politike, se çfarë mendon ky grup parlamentar për korrupsionin në drejtësi, për mënyrën si drejtësia mund të çlirohet nga kapja që i ka bërë politika apo si mund të krijojmë një sistem tek i cili të gjithë qytetarët, katolikë a çamë, të pasur a të varfër, ortodoksë a muslimanë, gej a jo, gra apo burra, të kenë besim në drejtësinë e pavarësinë e sistemit të drejtësisë, e të tjera çështje të kësaj rëndësie madhore.

Mirëpo, znj. Doda nuk na tha asgjë mbi këto. Ajo na tregoi me emra e mbiemra se cili apo cila prej kolegëve të saj i falen Allahut a Krishtit, i rrëfehen priftit a Baba Mondit, njësoj si të ishte jo në sallën e një Kuvendi me përfaqësues të një shteti laik të zgjedhur nga populli, po sikur të ishte përpara përfaqësuesve të ndonjë Koncili të Vatikanit të mbledhur për të diskutuar çështje të frymëzimit hyjnor.

E njëkohësisht nga goja e kësaj deputete dëgjuam lajmin e mirë se reforma në drejtësi do të na lejoka edhe ne qytetarëve gej a lezbike të vendit të martohemi.

Por kemi 48 orë që shfletojmë draft pas drafti e nuk po e gjejmë dot nenin a pikën që flet për martesat. Ne do t’i ishim shumë mirënjohës deputetes katolike të kauzës së çamëve nëse mund të sqaronte shqiptarët se në ç’vend të draftit të reformës në drejtësi flitet për martesat a për Kodin e Familjes?

Deri në pritje të këtij sqarimi i dërgojmë falenderimet tona paraprake znj. Doda për faktin që flet më shumë për LGBT se për çamët, madje flet më shumë për LGBT edhe se vetë ne LGBT-të.

Së fundmi, nuk mund të mos konstatojmë faktin që mes popullsisë çame gjasat janë më të mëdha të ketë gej e lezbike se katolikë (jo ata të konvertuar), por kjo është në fakt bukuria e diversitetit të përfaqësimit. E diversiteti është në thelb pasuri jo detyrimisht mallkim a kërcënim.

Në emër të Aleancës LGBT, Xheni Karaj
Në emër të ProLGBT, Kristi Pinderi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest
  • lajmiimire

    Pse, katoliket e konvertuar nuk quhen? Vetem gay mund te behesh gjate jetes, katolik duhet te jesh patjeter i lindur?