Çfarë po ndodh me 70 familjet rome, që bashkia do t’i dëbojë për të rehabilituar shtratin e lumit Lana?

13410541_10156934524685307_683214618_o

Pas një historie të gjatë përmbytjesh, Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt për rehabilitimin e shtratit të lumit Lana në 9 pika të ndryshme. Një prej tyre është zona e quajtur “Bregu i Lumit”, ku jetojnë familje të komunitetit Rom, që bashkia parashikon t’i dëbojë nga banesat e tyre. Në këtë zonë jetojnë rreth 70 familje, një pjesë e të cilave janë vendosur aty pas dy dëbimeve të njëpasnjëshme nga zona e Selitës dhe “Liqenit të Thatë”.

Sa familje të komunitetit Rom preken nga ky projekt?

Sipas të dhënave të mbledhura në terren nga aktivistët, në këtë zonë ndodhen rreth 70 familje me nga 4 deri në 6 anëtarë, pjesa më e madhe e të cilave jeton aty prej 10 apo 20 vitesh. 42 familje jetojnë në barraka dhe 24 kanë shtëpi të legalizuara ose në proces legalizimi. Nurmi i fëmijëve nën moshën 18 vjeç është rreth 168.

Bashkia kërkon zhvendosjen e këtyre familjeve por cila është zgjidhja që ofron për ta?

Gjatë këtij viti, planet e Bashkisë së Tiranës për rregullimin apo rehabilitimin e zonave ku jetojnë banorët e komunitetit Rom dhe Egjiptian, janë shoqëruar me dëbime të njëpasnjëshme, pa ofruar një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë strehimi. Sipas banorëve, zgjidhja që u jep bashkia është ajo që është propozuar dhe në rastet e shkuara të dëbimit, ofrimi i një bonusi qeraje deri në 80% të shumës për 2 vite. Ky vendim kundërshtohet nga banorët pasi është marrë pa dijeninë e tyre dhe i jep vetëm një zgjidhje provizore që në planin afatgjatë i lë në qiell të hapur.

A janë informuar këta banorë më parë?

Në një kërkesë drejtuar Avokatit të Popullit, banorët shprehen se lajmërimi i ka ardhur me gojë nga një person që ka shkuar tek çdo familje, duke mos sqaruar çfarë institucioni përfaqëson. Ndërkohë ata shprehen se janë vendosur përpara faktit të kryer, duke mos iu dhënë asnjë informacion paraprak dhe asnjë mundësi konsultimi.

Çfarë kërkojnë këta banorë?

Të vendosur përpara presionit të largimit, kërkesa e këtyre banorëve për një zgjidhje të arsyeshme dhe afatgjatë është përfitimi nga programi social i quajtur “Trualli me Infrastrukturë” që u mundëson truall për ndërtimin e banesave, në zonat pranë asaj ku jetojnë dhe infrastrukturën e nevojshme që u jep mundësinë të ndërtojnë dhe zhvillojnë banesat e tyre.

Cili ka qënë reagimi i banorëve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit Rom dhe Egjiptian?

Aktivistët për të drejtat e komunitetit Rom dhe Egjiptian, kanë dërguar një kërkesë në bashki për të marrë më shumë informacione rreth këtij projekti, por asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje. Më tej ata kanë hartuar një peticion me firmat e banorëve që preken nga dëbimi, për të kërkuar moszbatimin e këtij urdhri që është në kundërshtim me kushtetutën dhe praktikën e institucioneve ndërkombëtare.

/l.k./

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest