Thirrje për aplikim: Shkolla Verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2016″

HI-Summer1

SHKOLLA VERORE: “MULTIMEDIA DHE AKTIVIZMI”

Afati i fundit për aplikim: 25 qershor 2016

Vendi: Pogradec

 

“Historia Ime”, shpall të hapur për të tretin vit rresht, aplikimin për shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmi”.

Këtë vit shkolla verore zhvillohet në javën e parë të korrikut (5 – 10 korrik) në qytetin e Pogradecit dhe për herë të parë do të zgjerojë trajnimet në teori dhe praktikë, jo vetëm në fushën e Multimedias por edhe në fushën e aktivizmit.

Multimedia, një koncept i zhvilluar së tepërmi me mediat online, blogjet apo gazetarinë qytetare, do të thotë të japësh përmbajtjen në disa forma, që mund të jenë një kombinim i tekstit, audios, imazhit, animacionit, video apo mënyra të tjera interaktive.

Aktivizmi është përdorimi i fushatave qytetare dhe i hapësirës publike falë motivimit personal dhe mjeteve të mençura e praktike, për të sjellë ndryshime sociale në jetën tonë përmes politikës dhe pjesëmarrjes aktive në vendimarrje.

“Shkolla Verore për Multimedian dhe Aktivizmin 2016” do t’i ndërthurë këto dy koncepte duke ju mësuar si të përdorni format e multimedias në aktivizmin qytetar.

Gjatë 5 ditëve, do të ketë trajnime në teori dhe mbështetje direkte për praktikën nga disa prej profesionistëve më të mire dhe më të njohur të fushës.

Gjergj Erebara – Gazetar investigativ, redaktor i agjencisë BIRN

Eno Popi – Gazetar, profesor në Universitetin e Tiranës

Eno Milkani – Regjizor dhe themelues i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

Eriona Çami – Regjizore, fotografe dhe aktiviste

Besjan Pesha – Aktivist (Nisma #Thurje )

 

  • Kush mund të aplikojë?

Nëse je në universitet apo i diplomuar;  student gazetarie, apo punon në sektorët e komunikimit të OJF-ve; aktivizohesh në jetën publike të qytetit ku jeton, apo qoftë edhe nëse ke dëshirën për të mësuar mbi gazetarinë qytetare dhe mjetet më të fundit të komunikimit online, atëherë apliko tani.

Aplikimi është i hapur për të rinj mbi 16 vjeç nga e gjithë Shqipëria. Personat 16 deri pa mbushur 18 vjeç, mund të aplikojnë vetëm përmes një letre reference nga organizatat lokale të shoqërisë civile ku angazhohen ose nga shkollat që ndjekin. Në rast të shpalljes fitues, atëherë këta pjesëmarrës do të duhet të pajisen me një leje me shkrim nga prindërit ose kujdestarët.

  • Si mund të aplikosh?

Aplikimi mund të jetë individual ose në grupe të vogla prej 2 ose 3 të rinjsh që bëhen bashkë me një ide konkrete. Për të marrë pjesë në shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2016”, aplikoni deri në 25 qershor duke dërguar:

CV (të secilit anëtar nëse aplikoni në grup) dhe një Letër Motivimi (të përbashkët nëse aplikoni në grup).

Në letrën e motivimit duhet të shtjelloni shkurt edhe një projekt-ide konkrete për të realizuar një prodhim multimedial në fund të shkollës verore –  një foto-reportazh me një temë të caktuar sociale apo politike, nga jeta juaj e përditshme apo nga jeta e komuniteteve të ndryshme lokale në ambientin apo qytetin ku ju jetoni; një podcast (prodhim online radiofonik) apo një video të shkurtër.

Aplikimet dërgohen në adresën e emailit  historiaime.com@gmail.com

Fituesit do të njoftohen në javën e fundit të qershorit.

*“Historia Ime” do të mbulojë shpenzimet e Transportit; Akomodimit; Ushqimit dhe udhëtimeve në funksion të praktikës, për të gjitha ditët e shkollës verore.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest