11 ndryshimet në Kodin e Punës që hyjnë në fuqi në qershor

Fotografi ilustrueseFotografi ilustruese

Kodi i ri i Punës, me ndryshimet e bëra në fund të vitit 2015, pritet të hyjnë në fuqi në qershor. Llogaritet të jenë rreth 11 ndryshime që shkojnë në favor të respektimit të të drejtave të punëmarrësve.

Monitor shkruan se në 11 risitë kryesore që sjell Kodi i Punës parashikohen zhvillime pozitive sa i takon trajtimit të lejes vjetore dhe lejeve të lindjes. Çdo punëmarrës gëzon të drejtën për të marrë lejen vjetore dhe kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar. Ndërkohë që, për çdo gjashtë orë pune, punëdhënësit do të kenë detyrimin të garantojnë një periudhë pushimi për punëmarrësit.

Lidhur me lejen e lindjes, në Kod është propozuar ndryshimi që i jep të drejtën të dy prindërve të gëzimit të lejes së përkujdesit për fëmijën e sapolindur. Prindërit, tani mund të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6- vjeçare kanë të drejtë të marrin leje të papaguar jo më pak se katër muaj. Po ashtu, është parashikuar që pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Pra, mund të punojnë gjashtë orë dhe të paguhen për tetë orë.

Erion Manohasa, drejtor për Marrëdhëniet e Punës në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë thotë për Monitor se informimit i është kushtuar gjithashtu shumë rëndësi. Në rastin e shpalljes së vendeve të punës parashikohet që të lajmërohen si punonjësit me kohë të pjesshme, edhe ata me kohë të plotë.

Një risi tjetër janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore, për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si hidraulikët, elektricistët, babysitter-at, punëtorët e ndërtimit me ditë etj.

Për herë të parë, me këto ndryshime parashikohet rregullimi i punës në distancë, ose të kryer nëpërmjet kompjuterit, duke krijuar kështu mundësi të reja, por edhe mbrojtje për punëmarrësin.

Një tjetër risi është ajo që prek nxënësit e arsimit profesional. Për këtë kategori nxënësish, që në përputhje me sistemin dual gjerman do të kryejnë praktikën mësimore pranë një subjekti, këtej e tutje do të paguhen.

Me ndryshimet e miratuara në Kodin e Punës vijnë dhe disa përcaktime që synojnë ndalimin e diskriminimit në punësimin dhe formimin profesional. Kjo nënkupton se nëse punëmarrësi konstaton se ndaj tij është kryer një diskriminim, atëherë është punëdhënësi ai që duhet të faktojë se nuk ka ndodhur.

Ndër të tjera, parashikohet edhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të “shqetësimit seksual” në mjedisin e punës. /m.g

Shkrimi i plotë monitor.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest