Aktivistë nga e gjithë Evropa, 8 ditë në Shqipëri për të mbrojtur lumin Vjosa

13102645_1004496652960469_8366520584640986772_n

Prej 13 majit, Turi i Lumenjve të Ballkanit është zhvendosur në destinacionin e tij final, luginën e Vjosës. Kajakistë nga e gjithë Evropa, që prej datës 16 prill kanë përshkuar 17 lumenj në 6 shtete të ndryshme të Ballkanit, në një tur që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi vlerat e lumenjve dhe kërcënimet me të cilët ata ballafaqohen.

Foto nga pikënisja e turit në Shqipëri, lumi Valbonë/ Burimi: “Balkan Rivers Tour”

“Pas 27 ditësh Turi i Lumenjve të Ballkanit ka arritur fazën përfundimtare – aksionin në Vjosë, Shqipëri. Duke qenë lumi i fundit që rrjedh i lirë në Evropë, Vjosa është fokusi ynë kryesor. Ne po përcjellim mesazhin që na dhanë njerëzit e lumenjve gjatë gjithë rrugëtimit tonë – respektoni rrjedhën dhe mos lejoni të ndalet me çdo kusht. Bashkohuni me ne për të parë si duket një lum i egër e i lirë dhe për t’i thënë jo 33 digave që do të ndërtohen në Vjosë dhe degët e saj. Kjo është një histori e gjithë Evropës, Vjosa është e fundit që ka mbetur dhe ka rrezik t’i shitet kapitalit të huaj për interesa të ngushta. Ne e duam Vjosën të rrjedhë e lirë!”, shkruajnë ata në një prej njoftimeve.

Video: Apeli i ish-atletit olimpik Rok Rozman kundër ndërtimit të digave në Vjosë

 

Ky tur i rëndësishëm 36 ditor organizohet në mbështetje të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, qëllimi i së cilës është të parandalojë ndërtimin e këtyre HEC-eve dhe në vend të tyre të krijojë një Park Kombëtar në të gjithë luginën. Kjo do të përbënte Parkun e parë Kombëtar të një lumi të “egër” në të gjithë kontinentin.

Nën sloganin “Të shpëtojmë lumenjtë e Ballkanit – Stop cunamit të digave”, kajakistët do e finalizojnë qendrimin e tyre 7 ditor në Shqipëri me një peticion të veçantë për mbrojtjen e Vjosës, që do t’i dorëzohet kryeministrit Edi Rama më 20 maj.

 

/l.k./

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest