Ceremonia “Aleati i Vitit”, 10 çmime figurave që mbështetën LGBT gjatë 2015

IMG_1628

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, Aleanca LGBT dhe Pro LGBT shpërndanë  çmimet “Aleati i Vitit”, duke vlerësuar 10 personazhe/nisma, që kanë ndihmuar komunitetin LGBT në Shqipëri.

Në aktivitetin që u mbajt dje në sallën COD në Kryeministri, u vlerësuan figura si Dewi van de Weerd – ambasadorja e Hollandës, vullnetarët e “Peace Corps” për takimet informuese dhe edukuese në gjithë qytetet e Shqipërisë, Sonila Luzi – psikologe që ka punuar me disa raste kritike të personave LGBT , këngëtari Bojken lako, Organizata Politike, përfaqësues të medias si Alba Malltezi dhe Ola Bruko dhe personazhe të tjerë si Elvira Dones, Monika Melyshi, Kristina Voko.

“Kur kujtoj në vitet ’90, në redaksinë tonë trokisnin persona homoseksualë të keqtrajtuar nga policia. Kur erdhi në redaksinë tonë, atëherë  Gazeta Shqiptare, Nikoleta, nuk  e di sa nga ju mund ta kujtojnë, e rrahur, e poshtëruar  prej disa ditësh, e arrestuar e lënë e lirë, ishim edhe ne gazetarët  në dyshim çfarë  të bëjmë  dhe vendosëm  të kishim  edhe ne guxim  të merrnim kurajo dhe ta publikonim historinë e saj  në faqe të parë  me një foto të madhe”, tha gazetarja Alba Malltezi gjatë fjalës së saj pas marrjes së çmimit.

IMG_1657

“Të mbështesësh një komunitet, nuk do të thotë që ti domosdoshmërisht je pjesë e atij komuniteti, në ditët e sotme duhet kurajo për të qenë aleate e komunitetit LGBT. Faleminderit që e shfaqni veten në publik për atë që ju realisht jeni, në ditët e sotme kur njerëzit mund të shfaqen në çfarëdolloj formash, përveç se në atë që vërtetë janë”, u shpreh gazetarja Ola Bruko.
IMG_1668Një prej çmimeve “Aleati i Vitit” i është dhënë aktivistëve të Organizatës Politike.
“Si përfaqësuese e Organizatës Politike ndihem e nderuar për çmimin që po tërheq. Organizata jonë merret jo vetëm me çështjen punëtore, por edhe me luftën kundër çdo forme shfrytëzimi, shtypjeje, margjinalizimi dhe diskriminimi në shoqëri. Për shumë vite jemi munduar të forcojmë zërin e protestës së të varfërve, studentëve, grave dhe minoriteteve të ndryshme. Këto parime na kanë afruar edhe me përpjekjen e komunitetit LGBT për barazi”, tha Bora Mema, një prej aktivisteve të OP.

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në sallën COD në Kryeministri u shfaq dokumetari “Skandal”, ku përshkruhet historia e lëvizjes LGBT në Shqipëri.

Aktivitetet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë do të mbyllen në 20 maj me mbrëmjen e bamirësisë “Përqafo diversitetin, mbështet progresin” që do të zhvillohet tek Pallati i Brigadave.

Fotogaleri:

This slideshow requires JavaScript.

 

 

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest