Skandal, qindra fëmijë drejt shurdhërimit, institucionet abuzojnë dhe heshtin

implanti-koklear-femija-e1461143219911

Shoqata “Together for life”, ka kryer një investigim për implantin koklear, një operacion për fëmijët që lindin me probleme dëgjimi. Që prej dy vitesh, qeveria ka deklaruar se ky operacion është i rimbursueshëm, por sot qindra pacientë qëndrojnë në pritje kur në të vërtetë ai nuk ofrohet fare si shërbim.

Sipas mjekes pediatre otorinolaringologe, Edlira Beqiri, bëhet fjalë për rreth 60-70 fëmijë që lindin çdo vit me probleme degjimi. Implanti koklear është një pajisje e kompjuterizuar, e cila mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit, por ky operacion duhet bërë përpara moshës 7 vjeçare.

Në QSUT prindërit presin me vite, ndërsa fëmijët e tyre rriten dhe pas moshës 7 vjeç nuk kanë më asnjë shpresë. Rast i tillë është edhe ai i Borjanës.

Borjana P është është prindi i një vogëlusheje që shumë shpejt mbush 5 vjeç. Pasi zbuluan problemin e vajzës së tyre, prindërit i janë drejtuar klinikës së ORL­-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për kurim. Borjana tregon se e kanë mbajtur me shpresa për 4 vite me rradhë dhe si përfundim i është dashur të shkojë në një spital privat.

“Unë jam nëna e një fëmije që ka lindur pa dëgjim. Vajzën e operova në Greqi pas një pritjeje prej 4 vjetësh duke rendur pas çdokujt që më dukej sikur donte të më jepte një dorë. Përfundimisht iu drejtuam bankës me një kredi prej 20 mijë eurosh. Por fituam gjënë më të shtrenjtë: dëgjimin e vajzës sonë… Të ngremë zërin? Ja, po e ngre. Por në familjen time tashmë ekzistojnë 20 mijë euro borxh”, thotë e trishtuar Borjana.

Shoqata “Together for life” shkruan se asnjëri prej institucioneve shëndetësore nuk merr përgjegjësinë për mos realizimin e këtij operacionim, por vetëm kalojnë përgjegjësinë nga njëra tek tjetra.

besim-boci
Besim Boçi

Nga ana e saj, drejtoria e QSUT-­së thotë se Shërbimi ORL në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” disponon “të gjithë infrastrukturën e nevojshme” për kryerjen e implantit koklear.  Por shefi i shërbimit të ORL­-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi, thotë se gjithçka është bërë gati, janë përcaktuar edhe kostot, por ende nuk është vënë në zbatim.

“Na vënë përballë një presioni që s’ka lidhje. Vijnë këtu familjarët dhe bërtasin: pse s’më fute mua në listë, por fute atë? Ndërkohë që procedura nuk ka filluar fare. Ja, e kam unë listën e pritjeve. Edhe…? Ndërhyrja nuk bëhet”.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ia kalon përgjegjësinë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, teksa ky i fundit shprehet se Fondi financon procedurën kirurgjikale të vendosjes së implantit koklear, ndërsa përgjegjësia për sigurimin e aparaturave sipas standardeve të Bashkimit Europian është direkt e Ministrisë së Shëndetësisë.

E ndërsa askush nuk merr përsipër përgjegjësinë, sipas mjekes pediatre Edlira Beqiri, shurdhësia e lindur përbën patologjinë më të lartë krahasuar me gjithë sëmundjet e lindura në popullatë. Nga rreth 35.000 lindje/vit, 60-­70 lindin me probleme të dëgjimit.

Pas publikimit të investigimit të Shoqatës “Together for life” në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, ministria e Shëndetësisë është tërhequr nga deklarata e saj dhe ka thënë se një grup pune është duke punuar për të blerë aparaturat e nevojshme. /m.g

Lexoni shkrimin e plotë këtu.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest