Policia e aborteve në Kinë merr një mision të ri

policia-e-aborteve-ne-Kine-1

Në kohën e politikës së një fëmije në Kinë, policia e abortit, më e urryera në vend, tmerroi miliona familje, pasi i detyronte nënat të abortonin ose prindërit të paguanin gjoba të rënda. Tanimë policët kanë një mision të ri.

Me fundin e politikës së një fëmije në fillim të këtij viti, oficerët si Li Bo po marrin një rol krejt të ndryshëm. Tani ai mund të ngatërrohet me Babagjyshin Kinez të Krishtlindjeve që viziton fshatrat në malet e largëta të provincës Shaanxi me një çantë plot lodra dhe libra për ngjyrosje.

Së bashku me 68 kolegët e tij, Li është pjesë e një programi pilot që përfshin akademikë nga Universiteti Normal Shaanxi dhe Programi i Arsimit Rural të Stanford. Puna e tij e re është t’u mësojë prindërve dhe gjyshërve si të zhvillojnë mendjet e fëmijëve duke folur, kënduar dhe duke u lexuar atyre.

Në vitin 1979 u prezantua politika e një fëmije në Kinë. Oficerët e policisë ishin nga më të urryerit dhe më të përçmuarit e forcave ligjzbatuese. Ata konfiskonin pronat e familjeve që nuk mund t’i përballonin gjobat.

Zakonisht ata i vizitonin familjet me më shumë se një fëmijë natën dhe u merrnin gjithçka mundeshin që nga biçikletat e makinat qepëse deri te lopët dhe derrat. Megjithatë, familjeve fshatare u lejohej të kishin një fëmijë të dytë nëse i pari i dilte vajzë.

Rregulli e kërkonte që të paguhej gjoba në mënyrë që fëmija të njihej përpara ligjit dhe organeve shtetërore, në rast të kundërt ky fëmijë nuk ekzistonte në sy të shtetit. Shkurt, fëmijët e paligjshëm nuk mund të arsimoheshin, të merrnin kujdes shëndetësor apo madje të blinin biletë për të hipur në tren.

Që nga fillimi i vitit 2016, të gjitha çiftet kineze lejohen të kenë dy fëmijë. Por ata nuk mund të bëjnë më shumë në rast se nuk janë nga pakicat etnike. Për këtë arsye Li Bo kalon ende një pjesë të punës së tij si oficer i kontrollit të lindjes.

Ai kalon ca kohë në klinikën shëndetësore të qytetit duke vëzhguar gratë. Të gjitha gratë në moshë për të lindur kryejnë kontrolle shëndetësore çdo katër muaj për t’u siguruar se janë mirë me shëndet, por edhe jo shtatzënë.

Nëse një çift do të fillojë familje, duhet të kërkojnë miratim zyrtar përpara se të provojnë ngjizjen. Çdo grua ka nga një kartelë të kuqe ku i mbahen shënim fëmijët, kontraceptivët që përdor dhe abortet.

Oficeri Li Bo i përket Partisë Komuniste në vend dhe ai beson se shteti e di më mirë se kushdo se cila është e mira e përbashkët për individët dhe shoqërinë.

Për këtë arsye ai e merr si të mirëqenë detyrën për t’u kërkuar grave që nuk mund të përballojnë gjobën që të abortojnë. Oficeri pranon se në shumë qytete atyre ua qëllojnë makinat me gurë dhe se nuk janë të mirëpritur.

Në disa raste kjo polici e abortit është akuzuar për ndjekje të procedurave jo të rregullta që shpesh përfshijnë izolimin e paligjshëm të grave të dyshuara si shtatzënë dhe detyrimin e tyre me forcë të paguajnë gjobën.

Ajo që dihet me siguri tanimë është fakti se oficerët e aborteve janë kthyer në oficerë të edukimit dhe po u mësojnë familjeve të zhvillojnë sa më shumë aftësitë e fëmijëve të tyre.

“Kjo moshë është e artë për zhvillimin e aftësive tek ta. Më pëlqen puna ime e re dhe mendoj se është e rëndësishme, sepse po bëj gjënë e duhur në influencimin e njerëzve që janë përgjegjës për rritjen e të ardhmes së vendit tonë”, përfundon oficeri Li Bo./A.A.

/gazeta-shqip.com

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest