Abuzim me pacientët në QSUT, largohen nga spitali ende të sëmurë

reanimacion-e1462187837374

Të sëmurët në QSUT dërgohen  drejt e në shtëpi nga shërbimi i reanimacionit, pavarësisht nevojës për trajtim të mëtejshëm spitalor. Sipas një investigimi të bërë nga gazeta “Shëndet +”, kjo procedurë në kundërshtim me ligjin, vë në rrezik jetën e tyre.

Pacienti N.V. ka qëndruar disa ditë në reanimacion. Pasi ka kryer operacionin e parë në stomak, ai do të shkojë në shtëpi dhe do të rikthehet në spital për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje të dytë.

I pyetur nga “Shëndet +” për arsyen pse duhet të shkojë në shtëpi dhe jo në pavion, N.V. thotë se kështu e kanë orientuar e nuk ka ç’të bëjë tjetër:  “Pasi të dal nga këtu, do të shkoj direkt në shtëpi. Kështu më kanë thënë, që duhet të shkoj në shtëpi dhe ta vazhdoj kurën nga shtëpia. Nuk e di pse nuk shkoj dot në pavion, por më kanë thënë që kështu funksionon”, shprehet pacienti.

 

Ndërkohë një tjetër pacient, E.N., i ardhur nga shërbimi i urgjencës ku është diagnostifikuar me pankreatit akut detyrohet të shfrytëzojë njohjet për të marrë atë që i takon me ligj. Vajza e pacientit, njëkohësisht mjeke, përpiqet të përftojë nga njohjet me mjekët e tjerë që babai i saj të marrë shërbim korrekt dhe të kalojë nga kirurgjia në pavion e jo në shtëpi.

Ilir-Ohri
Ilir Ohri, shef i reanimacionit/ Foto: Shendet +

Shefi i reanimacionit, Ilir Ohri,  tha për “Shëndet +” se dërgimi i pacientëve nga reanimacioni në shtëpi është i jashtëligjshëm, por nuk ka zgjidhje tjetër.

“Një i sëmurë që vjen nga urgjenca që ka probleme kardiake nuk mund të shkojë prapë në urgjencë, por ka nevojë për kirurgjinë e zemrës, atëherë duhet të transferohet në kirurgji. Por kjo nuk ndodh. Në përgjithësi ne i mbajmë më gjatë këtu në reanimacion, sepse nuk pranohen nga pavionet, të cilët thonë se nuk i kanë sjellë këtu. Një gjë e tillë bën që ky pacient të rrisë ditëqëndrimin në reanimacion dhe detyrohemi ta çojmë në shtëpi pastaj.”

Duket se ky problem vjen për shkak të keqfunksionimit të sistemit, pasi në momentin që pacientët dalin nga reanimacioni nuk u sigurohet vend në pavionet përkatëse për shkak të fluksit.

Ndërkohë sipas Ilir Ohrit, drejtoria e QSUT-së është mjaftuar me dhënien e një urdhëri ku thuhet se pavionet duhet të kenë gjithnjë vende bosh për të sëmurët në reanimacion.

Dr. Koroshit, shefi i shërbimit të nefrologjisë, thotë se është në dijeni të urdhërit, por është shumë e vështirë të vihet në zbatim për shkak të fluksit të lartë të pacientëve që vijnë nga e gjithë Shqipëria.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest