VIDEO/Shqiptarët kurajozë që mbështesin marshimin e 5-të të LGBTI në Tiranë

deniokp

Aleanca LGBT dhe ProLGBT kanë disa ditë që postojnë në rrjetet sociale foto nga mbështetës shqiptarë (nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia) por dhe te huaj, për marshimin e 5-të kundër homofobisë Tirana Gay (P)Ride, eventi më i rëndësishëm kundër homofobisë dhe transfobisë.

“Falenderoj pafundësisht të gjithë personat qe po solidarizohen me fushatën ‪#Kurajo #TiranaGayPRide5”, shkroi në Facebook aktivistja Xheni Karaj.

Sipas saj, “për disa, një foto mund të duket gjë e vogël, por për ne është shpresë e madhe që një ditë do jetojmë të lirë nga paragjykimet, pa fshehur jetet dhe dashuritë tona! Duhet guxim jo vetëm për të jetuar si person LGBTI por dhe për të qenë aleat”.

Këtë vit, dy organizatat kryesore për të drejtat e LGBTI në Shqipëri organizojnë marshimin e 5-të me bicikleta kundër homofobisë dhe transfobisë, në 14 maj, ora 11.00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit (nisja bëhet përpara Pallatit të Kongreseve).

Më tej, në datën 16 maj në ambientet e COD në Kryeministri do të shfaqet dokumentari për historinë e lëvizjes LGBTI SkaNdal, i pasuar nga cmimet Aleati dhe Aleatja e Vitit 2016.

Më herët atë ditë, dokumentari do të shfaqet dhe në Universitetin e Vlorës i pasuar nga një debat me të rinjtë, ndërsa në 20 maj do të organizohet në Pallatin e Brigadave një mbrëmje gala për të ngritur fonde bamirësie për shelterin e të rinjve LGBTI Streha, të rinj që përzihen nga shtëpia ose jetojnë në dhunë për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor.

Më poshtë video kolazh i bërë nga Marinela Gremi për “Historia Ime”, në sfond “Lost on you” nga këngëtarja queer LP

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest