Studim i NDI për çeshtjet LGBTI: Problemi më i madh është mungesa e informacionit

studim NDI

Komuniteti LGBTI vazhdon të jetë një ndër grupet më të paragjykuara të shoqërisë. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por edhe për rajonin e Ballkanit. Instituti Kombëtar për Demokraci (NDI) ka kryer një sondim të opinionit publik mbi çeshtjet LGBTI në Ballkanin Perëndimor.

Intervistimet janë kryer me persona mbi 18 vjeç, duke përfshirë si publikun e gjërë  me anketime ‘ballëpërballë” edhe anëtarë të komunitetit LGBTI me sondazh online, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Më shumë se 1000 intervistime “ballëpërballë” në secilin shtet, kanë nxjerrë se një nga problemet më të mëdha është mungesa e informacionit të publikut të gjerë ndaj çeshtjeve LGBTI. Edhe në vet identifikimin e personave që ne përfshijmë në këtë akronim ka mangësi. Shqiptarët kanë më tepër informacion që përsonat gej dhe lesbike përfshihen në kategorinë LGBTI, por kanë shumë më pak informacion për grupet biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë. Vetëm 8% e të anketuarve në vendin tonë, i janë përgjigjur plotësisht saktë pyetjes.

Dhuna psikologjike dhe diskriminimi

Të intervistuarit janë njëherësh nga publiku i gjerë dhe nga komuniteti LGBTI. Në pyetjet për abuzimin psikologjik dhe ngacmimet verbale apo diskriminimin ndaj komunitetit, ka një mos përputhje të përgjigjeve të dhëna nga dy publikët. Në Shqipëri, vetëm 36% e popullsisë së përgjithshme të intervistuar mendon se personat LGBTI denigrohen nga familja, shoqëria apo kolegët në punë për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, ndërsa nga përgjigjet e anëtarëve të komunitetit LGBTI, shifra shkon në 76%. Ndryshe nga disa prej vendeve të Ballkanit ku abuzuesit më të mëdhenj të dhunës psikologjike gjenden në shkolla apo nga huliganët në rrugë, në Shqipëri, në shumicën e rasteve, shkaktohet nga familja dhe miqtë.

Dhuna fizike

Por nuk ndodh e njejta gjë përsa i përket dhunës fizike. Personat e komunitetit LGBTI janë përgjigjur se dhuna fizike shkaktohet më së shumti nga të panjohurit në rrugë. Sa i përket diskriminimit, ndonëse Shqipëria ka një kod pune që përcakton qartë se punonjësit nuk duhet të diskriminohen për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, diskriminimi në punë mban numrin më të lartë të përgjigjeve.

Më tej sondimi me publikun e gjërë vazhdon me pyetje për prindërit e fëmijëve LGBTI. “Nëse fëmija im do të ishte LGBTI, do të bëja çmos që ta kuroja” mendojnë pothuajse njësoj vendet e Ballkanit. Por Shqipëria dhe Kosova, duket të jenë më radikale nga masat e tjera që do të ndërmerrnin, pasi një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur “Nuk do të flisja më me të” dhe “Do ta nxirrja nga shtëpia”.

Nëse mendoni se personat LGBTI i tregojnë fillimisht miqve për orientimin e tyre seksual, atëherë mendoni drejt, pasi plot 76% e të anketuarve nga komuniteti, janë shprehur kështu. Duke vazhduar më pas me motrat apo vëllezërit dhe kolegët e punës.

Por sërish numri i atyre që dalin hapur dhe tregojnë orientimin e tyre seksual dhe identitetin gjinor, mbetet i pakët. Sipas sondazhit të NDI, 1 në 10 persona në Ballkan njohin dhe kanë kontakt me individë të komunitetit LGBTI. Ndryshimet e përgjigjeve mes atyre që kanë kontakt dhe jo me personat LGBTI janë të mëdha. Kjo duket sidomos në pyetjet si – “Homoseksualiteti ka ekzistuar gjithmonë, nuk është një fenomen i ri” apo “Homoseksualët janë qytetarë po aq sa gjithë të tjerët”.

Dy çeshtje të tjera të trajtuara në sondazh, janë bashkëjetesat brenda së njejtit seks dhe Paradat e Krenarisë, për të cilat shqiptarët janë më pozitiv se sa fqinjët tanë. Duhet theksuar se 1044 të anketuarit shqiptarë paraqiten mjaft tolerantë në krahasim me mesataren e vendeve të Ballkanit, përsa i përket të drejtave që lindin nga bashkjetesat brenda së njejtit seks, përveç asaj të adoptimit të fëmijëve. Po ashtu, të anketuarit shqiptarë paraqiten më pozitiv edhe ndaj ndikimit që kanë patur “Paradat e Krenarisë”. 76% e tyre mendojnë se paradat kanë përmirësuar pozicionin e komunitetit LGBTI në shoqëri. /m.g/

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest