Studim/ Si ndikon mungesa e sindikatave në shfrytëzimin dhe pasigurinë e punëtorëve?

asdf1

“Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri” quhet studimi që synon të hedhë dritë mbi kushtet reale të punës dhe problematikave  të punëtorëve në Shqipëri.

Ky studim i Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH),  paraqet rezultatet e rreth 100 intervistave në terren me punëtorë të industrisë së minierave, fasonerive, peshkimit, ndërtimit dhe atyre “call center”.

“Qëllimi i studimit nuk ka qenë vetëm nxjerrja e shifrave dhe statistikave përmes intervistave, por mbi të gjitha nxjerrja në dritë e kushteve reale të punës në Shqipëri, si dhe dhënia zë e punëtorëve të lënë në harresë në gjithë këto vite”, tha për Historia Ime, Mirela Ruko, koordinatore e projektit.

Ndër problemet kryesore që përmenden në studim janë kushtet e këqija të punës, pagesat e ulëta, shfrytëzimi dhe orët shtesë të papaguara si edhe mungesa e sigurisë.

Sipas Mirela Rukos Klasa punëtore në Shqipëri ka disa probleme kryesore, të cilat nuk mund të shihen të veçuara nga njëra-tjetra por të lidhura ngushtë dhe shpeshherë shkaktare të njëra-tjetrës.

“Të gjitha këto probleme vijnë si pasojë e mungesës së organizimit punëtor dhe sindikal, prandaj këtë të fundit mund ta gjykojmë si problemin më të madh të klasës punëtore sot në Shqipëri”, shton ajo.

SIGURIA NË PUNË

rastet e aksidenteve ne pune

Gjetjet e fazës së parë të projektit tregojnë një sërë shkeljesh të të drejtave të punëtorëve, të cilat në disa raste vënë në rrezik edhe shëndetin apo jetën e tyre.

Sektorët më problematikë sa i përket aksidenteve të rënda dhe atyre me pasojë vdekjen, janë industira e minierave, përpunimi i peshkut dhe ndërtimi. Sipas interpretimit që u bëhet të dhënave në studim, dëshmitë e të intervistuarve tregojnë jo vetëm kushtet e vështira të punës, por edhe marrëdhënien frikëndjellëse mes punëtorëve dhe pronarit.

PAGESA E SIGURIMEVE SHOQERORE DHE RESPEKTIMI I KONTRATES SE PUNES

kontratat dhe sigurimet

32% e të intervistuarve mendojnë se kontratat e punës nuk respektohen nga punëdhënësi, ndërsa 1 në 6 të intervistuar shprehen se sigurimet shoqërore e shëndetësore nuk  iu paguhen ose iu paguhen vetëm pjesërisht.

Në sektorin minerar dhe atë “call center”, më shumë se gjysma e punonjësve shprehen  të pakënaqur për respektimin e kontratave. Pakënaqësitë lidhen me orët shtesë të papaguara, presioni psikologjik nga punëdhënësit etj.

KUSHTET E JETESËS SË PUNËTORËVE, GJENDJA EKONOMIKE

 

Thuajse gjysma e punëtorëve të pyetur i konsiderojnë të pamjaftueshme të ardhurat që marrin nga puna e tyre. 80% e personave me të ardhura të pamjaftueshme janë shprehur se me to nuk mund të plotësojnë as nevojat bazike.

Sa i përket aspektit gjinor të analizimit të të ardhurave, 35% e grave në krahasim me 53% të burrave janë shprehur se kanë të ardhura të pamjaftueshme. Në interpretimin e të dhënave të sondazhit kjo shpjegohet me faktin se  pjesa më e madhe e grave të pyetura vijnë nga sektori i “call center” apo fasonerisë, krahasimisht me industrinë e peshkimit dhe minerareve për burrat.

Studimi “Gjendja e Klasës Punëtore në Shqipëri” do të vazhdojë më tej me një fazë të dytë.

“Faza e dytë e projektit do të jetë një thellim i pjesës së parë të studimit, përqëndruar tek një numër më i madh intervistash dhe krijim kontaktesh me sa më shumë punëtorë apo grupe punëtorësh që kanë vullnet dhe iniciativë për t’u organizuar. Janë parashikuar edhe takime më të shumta me punëtorët”, tha për Historia Ime, Mirela Ruko, koordinatore e projektit.

Studimi i plotë: Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri (I)

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest