Një ditë me qëndrestarët e parkut tek “Ulliri i Rezistencës”

12670538_1582235582068448_8168985212383404371_n

“Qytetarët Për Parkun” është një grupim qytetarësh aktiv që kanë sjellë një mënyrë të re proteste kundër ndërtimit të këndit të lojërave tek Parku i Liqenit. Prej më shumë se 3 javë ata vijojnë qëndresën e tyre paqësore ditë e natë, tek vendi që e quajnë “Ulliri i Rezistencës”, pranë gardhit rrethues ku po kryhen punimet.

Më 7 prill, në ditën e 23-të të qëndresës së qytetarëve për parkun, vendosa të kaloj pak kohë me ta.

Në sheshin ku dikur qëndronte një prej burimeve të shumta në Parkun e Liqenit gjendet “Ulliri i Rezistencës”, vend i cili spontanisht është kthyer në një hapësirë të përbashkët qytetare, ku çdokush është i mirpritur.

Menjëherë sa afrohem, syri me zë një tabele druri ku janë afishuar disa shkresa dhe fotografi. “Këto janë dokumentat që bashkia nuk do t’ua tregojë qëytetarëve” më thotë Ardit Mekshiqi, një prej qëndrestarëve. Mes tyre është preventivi i punimeve për këndin e lojrave, ku është nënvizuar çdo objekt betoni që do të ndërtohet në park, në fund e shkruar me dorë duket shuma, “950 m3 beton”.

Një pjesë e aktivistëve qëndrojnë në hyrje të sheshit dhe ndalojnë kalimtarët për t’u shpjeguar se çfarë po ndodh me parkun, u shprendajnë fletëpalosje informuese e i ftojnë t’i bashkohen rezistencës qoftë dhe për pak kohë. Nën hijen e pemëve, Joni, një prej qëndrestarëve ka hapur atë që e quan “punishtja”, ku ofron servis biçikletash falas për qytetarët.

Në ditën e 23-të të qëndresës tek Ulliri vijnë disa vizitorë të tjerë. Janë 6 persona, policë bashkiakë dhe përfaqësues nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit që i detyrojnë aktivistët të heqin banerat dhe pankartat që kanë vendosur, ndryshe do të ndëshkohen me gjobë.

Në orët e pasdites, aktivistët vendosin të mblidhen në një lokal pranë Parkut të Liqenit, për të diskutuar rreth ngjarjes së sotme dhe hapave që do të ndërmerren më tej. Nga mënyra si organizohen kuptoj se ky grupim qytetar nuk ka një lider, por të gjithë mblidhen për të diskutuar, debatuar e për të marrë vendimet së bashku.

Gjatë kësaj kohe qëndroj tek Ulliri, ku takoj njerëz që vijnë e ndalojnë për të diskutuar me njëri-tjetrin rreth parkut.

Qëndresa në “Ullirin e Rezistencës”  zgjat 24 orë në ditë. Që prej 16 marsit, çdo natë një grup aktivistësh që shpesh ndërrohet, e kalon natën në park. Për këtë arsye, vendos të kthehem në mbrëmje për të folur më shumë me “qëndrestarët e natës”.

Ndërkohë në kantierin e rrethuar me gardh të hekurt ka filluar puna. Sapo bie nata e parku zbrazet, shfaqen betonieret njëra pas tjetrës. Aktivistët vazhdojnë numërimin e tyre, të dokumentuar me anë të video – regjistrimeve.

Në sfond dëgjohen betonierja e 53-të dhe e 54-t që kanë ardhur të derdhin beton në park gjatë 23 ditëve të qëndresës.

Mbrëmja është e mbushur me diskutime për filozofinë, artin, poezinë e politikën.

E pyes Gencin, një prej qëndrestavëve për arsyen pse është pjesë e rezistencës për parkun. “Unë qëndroj këtu për ta marrë sistemin më seriozisht sesa e merr sistemi vetveten”, përgjigjet ai.

Më tej më tregon për mënyrën si Partia Demokratike u mundua të përfshihej në kauzën e tyre. Genci më thotë se që prej fillimeve të protestës, ka patur përpjekje për t’u afruar nga ana e përfaqësuesve të PD-së.  Gjatë asaj që e quan faza e parë e  protestës, ai tregon se ka patur dhe përplasje mes aktivistëve dhe përfaqësuesve të PD-së.  Aktivistët iu drejtuan me disa kushte, dy prej të cilave ishin mosmbajtja e simboleve partiake gjatë protestave dhe sjellje e drejtuar nga kauza. “Qëllimi ishte që ata t’i bashkoheshin kauzës, jo kauza atyre”, thotë Genci.

Ora ka kaluar 2 pas mesnate dhe biseda ndërpritet nga zhurma e dy betoniereve të tjera që vijnë për të derdhur beton në park.

Genci rikthehet të më tregojë për fazën e dytë, atëherë kur në park filloi të derdhej beton dhe nisi qëndresa e pandërprerë e qytetarëve për parkun. Në atë ditë, më datë 16 mars Partia Demokratike organizoi një tjetër protestë. “Ajo protestë ka qenë e tyre, ne nuk e mbështetëm” tregon Genci. Ai e përfundon duke thënë nuk pati kurrë një komunikim të nivelit kolektiv me përfaqësuesit e PD-së. Megjithatë protesta e pati një të mirë, thotë ai, kamerat kaluan gardhin dhe arritën të pasqyrojnë betonin në media.

Gjatë bisedës me aktivistët kuptoj se ky grup qytetarësh aktiv, të gjithë me nga një histori, profil e formim të ndryshëm, diku ndahen e diku bashkohen në mendime. Megjithatë ka disa pika që i mbajnë bashkë dhe  e bëjnë këtë shembull të parë qëndrese qytetare të vazhdojë e të rrritet. Ato janë dashuria për natyrën dhe ushtrimi i detyrimit qytetar për të reaguar ndaj padrejtësive.

*Lorin Kadiu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest