Hisja e trashëgimtarit (es)

Në pyetjen e gjyqtarit drejtuar Artës, se a dëshiron të pranojë pjesën e saj të trashëgimisë, ajo u mendua një copë herë – pa nga dy vëllezërit e saj të cilit tashmë kishin deklaruar se pranonin pjesën e tyre, dhe në fund tha: Jo.

Arta është njëra nga shumë gratë dhe vajzat në Kosovë, të cilat pavarësisht të drejtës së tyre për të trashëguar pasurinë nga prindërit – të garantuar me Kushtetutë, Ligje e Konventa Ndërkombëtare – shumë rrallë e shfrytëzojnë këtë të drejtë. Të shtyra nga presioni i familjes e i shoqërisë kosovare, ato gati asnjëherë nuk pranojnë të trashëgojnë pjesën e pasurisë që ju takon. Pasuria e tyre gjithmonë kalon tek vëllezërit, të cilët sipas traditës dhe mentalitetit shoqëror kosovar, janë të denjë të trashëgojnë pasurinë e babait; ndërsa gratë dhe vajzat marrin mjaftueshëm nga burrat e tyre dhe se është “marre me lyp hise nga baba”.

Jo shumë kohë më parë, EULEX publikoi një raport me temën “Gratë dhe e drejta e trashëgimisë në pronën e paluajtshme në Kosovë”. Raporti përveç shifrave shqetësuese, paraqet edhe një varg problemesh ligjore të cilat iu pamundësojnë grave dhe vajzave të shfrytëzojnë të drejtën  e tyre në trashëgimi.

Sipas raportit, si problem parësor paraqitet çështja e kompetencës në mes të gjykatave dhe noterisë – që të dyja këto kompetente për të vendosur në lidhje me çështjet trashëgimore – gjë që e bën më të vështirë orientimin për qytetarët se cilit institucion t’i drejtohen dhe cilit t’i besojnë më shumë.

Si çështje dytësore e ngritur në këtë raport, heqja dorë e grave nga trashëgimia, paraqitet si problem shumë i madh. Po ashtu, edhe legjislacioni që garanton këtë të drejtë është shpesh i paqartë dhe nuk parasheh masa mbrojtëse. Këto të fundit do të shërbenin si përforcues të së drejtës së grave për të trashëguar, dhe do ta bënin më të vështirë heqjen dorë nga trashëgimia. Dhe së fundi, taksat dhe tarifat mjaft të larta, të parapara pranë noterëve dhe zyrave të gjendjes civile, për regjistrimin e transaksioneve pronësore, janë një dekurajim shtesë për gratë kosovare që të kryejnë transaksione të tilla. Ky raport vë sidomos në dukje faktin që organet e lartpërmendura, kanë mungesë të dukshme të ofrimit të mbrojtjes së të drejtave të grave dhe vajzave për të trashëguar atë që ju takon. Mbrojtja më efikase e këtyre të drejtave do të mund të arrihej përmes një procedure gjyqësore e cila do të analizonte qartë faktorët të cilët e kanë shtyrë personin e caktuar të heqë dorë nga pjesa e trashëgimisë që i takon, në rast se ajo ka qenë e vullnetshme ose në rast se ajo është ndikuar nga faktorët e jashtëm.

Problemet e tilla të paraqitura në këtë raport, më së miri i pasqyrojnë shifrat. Kosova ka përqindjen më të ulët të pronave të regjistruara në emër të grave në Ballkan. Në Gjykatën e Apelit, gjatë viteve 2013/2014 nga 4,265 të rasteve civile të dërguara për zgjidhje në këtë organ gjyqësor, vetëm 6.8% të rasteve janë të përfshira gratë, pra vetëm 290 raste. Ndërkaq në 88% të rasteve nga këto 290 raste, gratë janë palë ankuese së bashku me burrat. Rastet kur vetëm gratë janë paditëse/palë ankuese në një çështje gjyqësore gjatë viteve 2013/2014 janë vetëm 0.82% ose 35 raste nga 4,265 raste sa janë në total në Gjykatën e Apelit. Këto shifra përkthehen në sinjalizues të qartë që gratë, krahas tjerave, kanë shumë pak mundësi për të hyrë në procedura gjyqësore dhe për të kërkuar realizimin e të drejtave për shkak të mungesës së pasurisë në emër të tyre.

Tek organet noteriale, përqindja e grave që kanë pranuar pjesën e tyre të trashëgimisë është nën 20%. Pjesa tjetër, pra më shumë se 80% kanë hequr dorë nga trashëgimia. Në bazë të databazës të disa prej noterëve në Kosovë, nga të gjitha transaksionet pronësore vetëm në 15% të rasteve gratë janë përfituese të këtyre transaksioneve. Në zonat rurale, kjo përqindje është edhe më e ulët – në fshatrat e Komunës së Gjilanit vetëm në 6% (11 nga 163 kontrata) të rasteve të shitblerjes së pronave përfituese janë gratë. Edhe në këtë rast, sikurse në Gjykata edhe në Noteri shifrat janë alarmante. Shumica prej grave nuk pranojnë pasuri, për të vetmin shkak se janë të bindura se për to kujdeset financiarisht bashkëshorti. Pasuria e tyre gjithmonë i lihet prapa vëllezërve të tyre, të cilët shpesh edhe nuk i pyesin nëse ato dëshirojnë të pranojnë pjesën e tyre të trashëgimisë. Por edhe nëse pyeten për një gjë të tillë, do ta bënin këtë vetëm sa “për sy e faqe”.

Pavarësisht realitetit të brishtë në terren, baza ligjore që gratë të realizojnë të drejtën e tyre për të trashëguar e për të mos u diskriminuar, ekziston. Kështu, neni 7 i Kushtetutës së Kosovës garanton barazinë e grave dhe ndarjen e barabartë të trashëgimisë në mes të trashëgimtarëve. Neni 7.5 i Kushtetutës së Kosovës, ndalon diskriminimin e gruas. Ndërkaq neni 22 i Kushtetutës garanton zbatimin e drejtpërdrejtë të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, e me këtë rast edhe të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas. Shteti ynë ka një mori ligjesh të cilat sigurojnë dhe garantojnë në letër këto të drejta. Por, siç duket, ato nuk janë të mjaftueshme.

Tradita zakonore, kultura, mangësia e ligjeve si dhe procedurave të përcaktuara qartë, por edhe mungesa e informatave për të drejtat që i gëzojmë kanë shkaktuar atë që sot kemi – ligje të mira në letër dhe aspak të tilla në zbatimin e tyre.

Një ligj, sa do i mirë që të jetë në mënyrën e formulimit të tij, është i pasuksesshëm nëse ai nuk gjen aplikim në realitetin e përditshëm. Ofrimi i mbrojtjes së të drejtave të gruas, përfshirë këtu edhe të drejtën e trashëgimisë, është vetëm një fasadë e bukur, por që pas fsheh një realitet të hidhur. /A.A.

/sbunker.net

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest