Rreth dy muaj pas inagurimit, pajisja për trajtimin e pacientëve me tumor nuk është vënë ende në punë

asdsadasds

 

Gjatë një vizite të Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj më 4 shkurt të këtij viti, u përuruan investimet e reja në repartin e Onkologjisë në QSUT.

Investimi kryesor në këtë repart është një pajisje mjekësore e teknologjisë së fundit e quajtur akselerator linear, e cila ka kushtuar 315 milion lekë. Kjo pajisje duhet t’i shërbente çdo ditë 60 pacientëve për trajtimin me preçizion të lartë të tumoreve, por as sot pas dy muajsh nuk është vënë ende në punë.

Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu ka thënë për ATSH më 4 shkurt, se trajtimi i pacientëve me radioterapi do të niste që në fillim të marsit.

Duket se problemi qëndron në procesin e kolaudimit të pajisjes.  Sipas shefit të shërbimit onkologjik Agim Sallaku, akseleratori linear është ende duke u testuar, edhe pse instalimi i tij ka përfunduar që në dhjetor të vitit 2015.

“Akseleratori linear po bën një proces verifikimi. Nga dhjetori përfundoi instalimi dhe deri tani në fund të prillit është proces mbledhje të dhënash. Sikur po rrezatohet njeriu, por virtual.”, ka thënë Agim Sallaku për Shëndet Plus.

Ai ka shtuar se procesi i konfirmimit përfundimtar dhe trajnimit të stafit do të vazhdojë edhe gjatë muajit prill dhe pajisja do të jetë gati vetëm pas datës 22 ose 23 prill.

Ajo që iu mbetet pacientëve të sëmurë me tumor është të presin. Sepse pajisja e instaluar në dhjetor dhe e inaguruar në shkurt nuk është vënë ende në shërbim të tyre.

/l.k./

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest