Raporti në Kuvend: Në vitin 2015 janë dhunuar 59% e grave

baraku

Në një studim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi rezulton se në Shqipëri 59 për qind e grave kanë pësuar dhunë në familje, në marrëdhëniet martesore apo intime.

Në raportin vjetor të këtij institucioni drejtuar Parlamentit, thuhet se 53 për qind e grave kanë deklaruar se janë dhunuar në familje 12 muajt e fundit kur janë intervistuar. “Nga vrojtimi kombëtar me bazë popullatën, ‘Dhuna në familje në Shqipëri’, rezulton se 59.4% e grave (më shumë se 1 në 2 gra) janë shprehur se kanë pësuar dhunë familjare në martesë / marrëdhënie intime ‘gjatë jetës’. Po ashtu dhe 53.0% e grave (1 në 2 gra) po përjetonin dhunë në familje ‘aktualisht’ (brenda 12 muajve para intervistës)”, thuhet në raportin e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi një përmbledhje për rishikimin e rasteve të dhunës në familje në 38 gjykata dhe rekomandoi ndryshimet në ligjin dhe praktikat gjyqësore. Ata konstatuan se procedurat gjyqësore për raste të tilla kriminale ngadalësoheshin nga gjykatat duke shkelur afatet kohore për shqyrtimin dhe lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Deri në fund të shtatorit 2015 janë numëruar 3094 incidente të dhunës në familje të raportuara në polici, ndërsa gratë përbëjnë shumicën e viktimave. Pak më shumë se një e treta (1.292) të këtyre raportimeve përbëjnë vepra penale kriminale”, thuhet në raport. Por në raport merret si shembull qyteti i Tiranës ku theksohet se gratë e dhunuara, të cilat kanë marrë urdhër mbrojtjeje nga gjykata, janë tërhequr nga padia ose këta urdhra nuk janë zbatuar.

“Deri në fund të shtatorit, 1882 gra kanë kërkuar urdhra mbrojtjeje nga gjykata. Në Tiranë, për shembull, më shumë se 2/3 e kërkesave për urdhra mbrojtjeje janë tërhequr ose ndërprerë. Edhe aty ku janë lëshuar urdhra mbrojtjeje, ata nuk zbatohen”, thuhet në raportin e KMD.

LGBT

Në raportin vjetor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, një pjesë të veçantë trajton problematikat e komunitetit Gej, Lesbike, Biseksuale dhe Transgjinore. Ankesat, sipas raportit, kanë të bëjnë me shprehjet kundër martesave gej dhe paradave LGBT. “Ka pasur ankesa mbi ofrimin e shërbimeve të këtij komuniteti, ku dallohet haptazi se ka diskriminim në shërbime si lokale apo ambiente publike. Sidomos këto probleme vërehen më shumë te komuniteti i Transgjinorëve. Personat LGBT vuajnë nga shërbime të dobëta mjekësore dhe psikologjike, duke qenë se sistemi mjekësor shqiptar është shumë i papërgatitur për adresimin e nevojave dhe problemeve të këtij komuniteti. Edhe aksesi nga shërbimet sociale është i kufizuar. Ankesat e paraqitura për shqyrtim pranë KMD dhe çështjet e nisura kryesisht nga institucioni kanë patur si pretendime diskriminimin në lidhje me të drejtat për punësim, arsim dhe ofrimin e të mirave dhe shërbimeve apo probleme të garantimit të së drejtës për strehim, komenteve homofobike, si edhe shprehjeve kundër martesave gej dhe paradave LGBT”, thuhet në raport./A.A.

/panorama.com.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest