Takim me një mësuese te semafori afër Shallvareve

artan-fuga-700x525

Sigurisht brezi i sotëm jeton në një shoqëri me pabarazi. Atë pjesë të pabarazive që e jep liria dhe është e domosdoshme për lirinë, duhet ta pranojmë, mbrojmë, zhvillojmë.

Sikurse argumentohet edhe nga filozofë të sotëm të së drejtës ka pabarazi të drejta, por problem janë pabarazitë e padrejta, sidomos kur bëhet fjalë për edukimin dhe arsimimin e rinisë, si një e mirë publike, si Ajri, si Dielli, para të cilave të gjithë duhet të jemi të barabartë.

Pabarazitë ofenduese vijnë nga fakti se ministria e arsimit në këto 25 vjet, edhe sot e kësaj dite që u bie trumpetave të fitoreve, nuk ka marrë guximin të bëjë një studim ose monitorim për diferencat në nivelin arsimor midis një nxënësi shqiptar dhe një nxënësi europian.

Le t’ja kërkojë këtë monitoruesve anglezë, irlandezë, izraelitë, sirianë, e kujtdo tjetër, dhe do të shohi se në çfarë gjendje katastrofike ka ardhur veçanërisht arsimi dhe edukimi parauniversitar që i sjell dallgët e padijes drejt e në universitet. Kjo është pabarazi që prek vitalitetin e kombit shqiptar dhe na zhyt në errësirë në krahasim me kombet e tjerë europianë, edhe me fqinjët. Na zhyt në padije, budallallik dhe baltë kulturore.

Pabarazitë midis shtresave për arsimin e fëmijëve të tyre duken edhe në faktin se nga gjendja ku shteti e ka lënë dijen universitare, po të jesh pedagog, të duket sikur vetëm shtresat e popullit i arsimojnë fëmijët në universitete, kurse të pasurit, intelektualët e shtresës të lartë, edhe nëpunësit e lartë, nuk i arsimojnë fare fëmijët e tyre. Ku janë këta?

Jo more jo, janë të gjithë nëpër shkolla të huaja jashtë vendit. Kështu spitali publik, radiotelevizioni publik, universitetet publike dhe ato private, etj., gjithçka publike, është bërë një shërbim vetëm për qytetarët e dorës të dytë, ata që shteti ua pret shërbimet dhe i le në ditë të hallit.

Edhe Internetin, duke e përzënë nga shkollat e arsimit parauniversitar, mësuesit nën mbështetjen e dikasterit të arsimit dhe sporteve e mbyllin nxënësin në padijen e teksteve banale, dhe nuk i japin mundësinë të lundrojnë në botën e dijes virtuale. Rinia e familjeve të mbajtura, sheh filma, dokumentare, spektakle në Internet, kurse masa e vuajtur e rinisë nuk zbret nga Interneti veçse ndonjë foto.

Për të mos folur për pabarazitë rajonale në arsim, shkollat e zonave rurale janë në ditë të hallit nga cilësia e mësimdhënies, pajisja me laboratore, etj. Mjafton të shohim notën mesatare në këto shkolla dhe do të vemë duart në kokë.

Ubububu-ja!

Nga një sondazh kombëtar që kam bërë me një koleg përpara ca kohëve, midis gjimnazistëve në shkallë republike, një ndër tre, synonte ta braktiste atdheun. Ikni nga sytë këmbët!!! Ja cfarë u mëson shkolla.

Cfarë them unë? Shkollat rurale? Pardje, te semafori, duke pritur dritën jeshile, më afrohet një zonjë grua dhe më thotë : Profesor Fuga??? Po – i them. Jam mesuese kimie në gjimnaz, ju lexoj shumë. Falemnderit – i thashë. Nga frika se e kuqja do t’ja linte vendin dritës jeshile, e pyeta duke hyrë drejt e në thella : A ke laborator për lëndën e kimisë? Ajo, e pezmatuar u përgjigj: Çfarë??? Marr nga shtëpia një llampë me alkool dhe përpiqem të tregoj ndonjë gjë elementare. Substanca dhe aparatura të tjera as bëhet fjalë!!!

Ja ku është katandisur shkolla jonë, mësim e shkrim, si kurse kundër analfabetizmit, minimumi i dijes, sa për të mos u quajtur popullatë e egër, pa filozofi, pa logjikë, matematikë elementare, dy edhe dy sa bëjnë? Pa teknologji, pa gjuhë të huaja…

Çdo ditë që kalon sot duhet të matet me dhjetë vjet mundime për brezat e ardhshëm për ta riparuar sabotimin që i është bërë dhe i bëhet mënçurisë dhe edukimit rinor.

Rinisë po i vrasin mendjen!

Shkrimi i plotë këtu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest