Jeta e Fatmir Korrës, 40 vite në pastrimin dhe llustrimin e këpucëve

20160302_121048-e1457035895763

Fatmir Korra gjithë jetën e tij e ka kaluar në pastrimin  dhe llustrimin e këpucëve. Nëse e shikon, asnjëherë nuk do ta besosh se është 57 vjeç por shumë më tepër.

Është aq i përulur sa dhe kurrizi i është kërrusur nga vuajtjet. Ndërsa pret klientët e tij, gjithmonë e më të paktë, ai fikson atë karrige që gjithmonë e ka shpëtuar për t’u ushqyer dhe mbajtur familjen derisa kjo e fundit e braktisi.

Në shoqërinë e furçave të tij dhe kutisë tradicionale të bojës, Fatmiri edhe pse pa asgjë, nuk ndodh të ankohet.

20160302_121104-e1457036257132Sot ka vetëm një strehë për të fjetur dhe atë ia ofron i vëllai. Nuk do të dalë asnjëherë në pension pasi ka ushtruar gjatë gjithë jetës zanatin e llustraxhiut. Nuk dëshiron që njerëzit të kenë mëshirë për të, por kujdeset që të gjithë t’i kënaqë me shpresën se do të kthehen sërish tek ai. E gjen aty sidomos në ditët me diell, ndërsa pret që dikush të ulet në atë karrige. Kryesisht ata që vijnë e njohin prej vitesh. “Merr shumë pak. Është një njeri shumë i vuajtur”, shprehet një klient i tij i vjetër. Si ai vijnë rrallë e më rrallë.

Ndërsa pret me durimin e tij të përvuajtur një klient, ai tregon se tek llustra e tij kanë kaluar të gjithë, që nga sekretari i parë i partisë e deri tek të fortët e 97-tës. Në një bisedë Fatmiri sjell  40 vitet e  tij me llustrën.

Ku dhe si e keni mësuar zanatin e llustraxhiut?

Ne kemi një lloj trashëgimie pasi unë e kam mësuar llustrën nga vëllai im më i madh. Ai llustronte dhe unë vendosa të bëhem si ai. Zanatin e kam mësuar qysh në ‘70-tën. Pasi u mora me punë të tjera të vështira, aty nga viti 1983 nisa të llustroj çdo ditë. Kam dalë edhe në vende të tjera të Elbasanit ku edhe kishte më shumë lëvizje në atë kohë. Një llustër atëherë ishte 5 lekë.

Kush ishin klientët që të siguronin më shumë para në atë kohë?

T’ju them një të vërtetë: Ju do mendonit që ata që llustronin këpucë atëherë ishin qytetarë? Jo, ishin fshatarët që vinin në qytet. Unë kisha festë pasi të gjithë zbrisnin ditën e dielë në qytet dhe kisha radhë për të lyer këpucët. Fitoja shumë në atë kohë, por sigurisht që atëherë nuk vije dot pasuri. Sa për të mëdhenj kisha edhe njerëz që në qytet ishin të rëndësishëm. Më kujtohet që vinin edhe sekretarë të parë. Mbaj mend Fatmir Selitën. Vinin edhe të tjerë të ngritur, por emrat nuk jua mbaj mend. Atëherë këpucët mbaheshin për shumë kohë se nuk kishte

Sa fiton në një ditë normale?

Mund të arrij dy-tri lyerje këpucësh.

Kaq pak?

Ka rënë shumë.

Të kanë dhënë ndonjëherë para edhe pse nuk kanë lyer këpucë?

Po ka ndodhur. Një herë mbaj mend një vajzë e cila kaloi e më la 1500 lekë, por pa lyer këpucët. Kaloi edhe një herë tjetër e më la 10 mijë lekë. Ishte me të ëmën dhe mi fali ato lekë. Jam ndjerë keq. Unë dua t’a fitoj vetë lekun. Pak, pak por është leku im.

Do vazhdosh të dalësh këtu për të llustruar?

Derisa të ketë klientë që kanë qejf të lyejnë këpucët unë këtu do jem. Ai që ka qejf të lyejë këpucët, sidomos ngjyrat e tilla si bezha, grija, bluja, do të vijë. Nuk i shikoj llustraxhinjtë e tjerë pasi çdo njeri ka dorën e vet.

Keni probleme me shëndetin?

Si thoni ju. Të rrish gjithë ditën këtu me duart tek boja që është kimike nuk do kem probleme. Kam sa të duash probleme. Shëndetin e kam copë-copë por s’kam ç’bëj. Këtu do dal se nuk mund të bëj gjë tjetër.

Ju thatë që jeni 57 vjeç. Do të dilni në pension?

Nuk kam për të dalë ndonjëherë në pension. Nuk kam vitet me sigurime. Kam punuar në rrugë e nuk jam siguruar. Do të dal gjithmonë këtu sa të kem takat. Nuk kam asgjë, vetëm këto furça, karriken dhe klientët që vijnë dhe më respektojnë. /tesheshi.com/

/l.k./

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest