Shtëpi të moshuarish për evropianët, biznes potencial në Shqipëri

resize

Kujdesi për të moshuarit, është biznes mjaft i zhvilluar në Evropën Lindore dhe duket se do të jetë edhe për Shqipërinë.

Në çfarë konsiston ky biznes? Investitorë të huaj, ndërtojnë shtëpi për të moshuar (azile), në vende me kosto të ulëta jetese. Biznesi me fokus të moshuarit e “pasur” të Evropës Perëndimore, mundëson ofrimin e këtij shërbimi me kosto më të vogël se 1000 euro në muaj, të përballueshme nga shumë pensionistë nga Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro.

Një çift të moshuarish italianë, që kishin gjetur parajsën në Shqipëri ishte në fokusin e një reportazhi të Rai 3 në janar të këtij viti. Shqipëria cilësohej si destinacioni i ri i pensionistëve italianë, që në vendin e tyre nuk arrinin të shtynin muajin, ndërsa përtej Adriatikut, vetëm një orë larg shtëpisë, ndihen pothuajse të pasur.

Në Shqipëri, një kafe kushton 40 cent, qiraja e një shtëpie është 150 euro dhe as faturat nuk të trembin, pasi me më pak se 50 euro në muaj mund të paguash dritat, ujin dhe energjinë.

Kriza e financave publike në BE dhe rritja e kostove të kujdesit shëndetësor, e ka bërë të nevojshme shqyrtimin e alternativave për të moshuarit. Janë me mijëra të moshuarit nordikë që jetojnë në Sllovaki, Poloni, Greqi, Bullgari, etj.

Shqipëria për nga pozita gjeografike, klima dhe struktura e kostove krahasimisht disa herë më e ulët, mund të kthehet në një destinacion të preferuar të këtyre të moshuarve. Ardian Haçkaj, drejtor i “Shteti Web”, thotë se shteti mund të ndërhyjë duke certifikuar aktorët, duke investuar në edukimin dhe formimin e personelit të specializuar dhe duke promovuar imazhin e vendit si destinacion i paqtë. /m.g

Burimi: Monitor

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest