Të sëmurët duhet të ngjisin 132 shkallë! Administrata bllokon ashensorët e QSUT

3

Që prej tetorit të vitit 2015 ashensorët dhe pavionet e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, mund të hapen vetëm me anë të kartave elektronike që i disponon personeli mjekësor. Kjo godinë me gjashtë kate i shërben çdo ditë qindra pacientëve me probleme të rënda shëndetësore.

Një paciente e pavionit të nefrologjisë së cilës i duhet të ngjisë 132 shkallë për të arritur në katin e gjashtë ku mund të marrë shërbimin shëndetësor, e denoncoi këtë problem në redaksinë e Historia Ime. Për të mësuar më shumë rreth këtij problemi, kontaktuam me sektorin e Marrëdhënieve me Publikun në QSUT.

“Spitali i Sëmundjeve të Brendshme (Spitali Nr.1), ka në strukturën e tij dy ashensorë, ku vetëm njëri prej tyre është i pajisur me akses të rezervuar për stafin mjekësor, me qëllim lëvizjen e pacientëve të hospitalizuar nën shoqërimin e stafit infermieror për ofrimin e një shërbimi më të mirë ndaj pacientëve”, tha për Historia Ime Alvi Bajramaj, specialist i marrëdhënieve publike në QSUT.

Por një numër i madh i pacientëve në këtë spital nuk janë të hospitalizuar, pra shkojnë në  spital vetëm për të marrë shërbimet mjekësore. Gjatë vëzhgimit të bërë në ambjentet e spitalit rezulton se të dy ashensorët funksionojnë vetëm me kartat elektronike dhe pacientëve iu duhet të presin në rradhë derisa dikush nga stafi të kalojë aty e të hapë ashensorin.

(Foto: Të dy ashensorët në QSUT hapen vetëm nga stafi)

Për të përdorur një nga ashensorët na u desh të prisnim rreth 15 minuta. Infermierja që na mundësoi aksesin, e pyetur mbi mënyrën si funksionon ky shërbim tha:  “Ashensori punon vetëm me kartë. Këtu dhe me kartë duhet të mbash rradhë. Nëse nuk vjen njeri për të hapur derën ose nuk të tërheq njeri nga lart mund të presësh dhe një orë këtu poshtë”.

Sipas Z.Bajramaj, ky investim është financuar nga donacioni i një banke të nivelit të dyte dhe ka për qellim kontrollin dhe sigurinë e ambjenteve mjekësore nga lëvizjet e personave të paautorizuar.

Foto: Pacientët duke pritur në rradhë për të përdorur ashensorin

Investimet në infrastrukturën spitalore, konkretisht në atë lëvizëse, normalisht duhet të jenë në avantazh të pacientëve. Por nga ajo që vihet re kur viziton këtë godinë spitalore, është se ky investim i shërben më shumë personelit mjekësor dhe është kthyer në problem për pjesën më të madhe të pacientëve.

*Lorin Kadiu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest