Letër familjes time

Kristina KastelecKristina Kastelec

Të dashurit e mi,

Disa gjëra janë shumë të vështira për t’u thënë. Disa gjëra lëndojnë, dhe disa gjëra është më mirë të mbeten të pathëna. Dhe e di që në të vërtet, ju nuk dëshironi t’i dëgjoni këto. Unë mendoj që ju nuk jeni ende gati, dhe pyetja është a do të jeni ndonjëherë gati?

Në familjen tonë çdo gjë shkon aq ngadalë, sikur “e nesërmja” patjetër duhet të vij, sikur jeta nuk është një gjë aq e brishtë, sikur jemi të pavdekshëm, sikur kemi kohë të presim. Dhe prandaj këtë nuk do t’ua them, por më mirë do t’ua shkruaj më poshtë, dhe që tani e di që fjalët e mia ndoshta asnjëherë nuk do të arrijnë tek ju.

E pse po e shkruaj këtë? E shkruaj sepse nuk mundem më ta mbaj brenda vetes, të kafshojë gjuhën dhe t’i hesht të gjitha çka dua t’ua them në fytyrë, mbas çdo diskutimi të vogël, mbas çdo zënke, mbas komenteve të ndryshme. Por unë duhet ta bëj këtë, duhet ta bëj, sepse kam duruar kaq gjatë në heshtje, sepse e di që do ju lëndonte ajo që kam për t’ju thënë. Dhe atëherë bëj atë që i kam premtuar vetes se nuk do e bëj – ju lë juve që të më lëndoni përsëri dhe përsëri, kështu që zemrat tuaja të mbeten të pa prekura, të paktën në atë aspekt.

E di që juve ju lëndojnë disa gjëra të tjera. Se rritja ime dhe ndryshimet që më ndodhnin mua ju bënin konfuz, se ndiheshit të lënë pasdore, se shqetësoheshit dhe se ende shqetësoheni për mua. E di se ende shpresoni se nëpër derë do hyjë një Kristinë e vogël, bjonde, e ëmbël, ajo Kristina të cilën e donit dhe për të cilën ishit shumë krenar edhe atëherë kur nuk bënte asgjë. E di se më vëzhgonit se si gjeja vetveten, e duronit heshtjen time, nervozitetin tim dhe përgjigjet pa kuptim, terheqjen time në vetvete, zemërimin tim, rrobat e zeza që vishja, muzikën e zhurmshme dhe të dhunshme e cila vinte nga kufjet e mia. E di se qanit dhe mërziteshit kur u zhdukën dhe gjurmët e fundit të flokëve të verdha nën makinën për qethje, kur rrobat që mi blenit u zhdukën në qeset poshtë krevatit, kur vendin e tyre e zunë bluzat dhe pantolonat mashkullore, kur në dyert e dollapit filluan të varen dhjetra këmisha.

E di që jepnit gjithçka prej vetes që ta pranoni atë që ju tregoja se jam. E di, gjyshe, se sa të dhemb që asnjëherë nuk do të kërcesh në dasmën time. Besomë kur të them, mua më dhemb më shumë. E di se nuk më kupton, por dashuria është gjithandej e njëjtë dhe e bukur. Më së shumti në këtë botë dua që të kërcesh në dasmën time, gjyshe.

E di, nënë, se pse heshtje kur “shoqja” ime erdhi të hajë mëngjes pasi kishte kaluar natën në banesën tonë, e di pse nuk buzëqeshe. E di se më vonë u përpoqe të përmirësohesh kur Natasha erdhi në shtëpinë tonë. E di se ia hape derën vetë sepse faji është një bushtër e tillë, nënë, e di.

E di, hallë, se pse çdoherë më lut që t’i rris flokët, t’i lyej, të vë make up, të vesh fustan, të blej këpucë femërore, e di pse më përgjërohesh të bëj të paktën një prej këtyre gjërave që më numërove. E di se pse në çdo thënje timen “shkoj në qytet” të cilën e them nga dera duke dalë, psherëtini. E di se pse kur dal me Atë, ndeshem me heshtjen tuaj. E di se frikësoheni. E di se psherëtini çdoherë kur kthehemi shëndoshë e mirë dhe me buzqeshje në fytyrë. E di se gëzoheni sa herë ju themi se nuk shkojmë askund sot, se do të rrimë të shikojmë film.

A e dini ju se edhe unë frikësohem? A mendoni pak për mua? Për ndjenjat e mia? A e mendoni se jam unë ajo që përballet me botën, ndërsa ju merrni komente, mbetje të zbehta të asaj që unë tashmë e kam përtypur? Dhe a ju ka rënë ndonjëherë ndërmend se heshtja dhe sjellja jote e ftohtë, hallë e dashur, kundrejt Natashës edhe mbas dy viteve, ma thyen zemrën çdo ditë?

E di se frikësoheni. Edhe unë frikësohem, rrallë mund të kalojë ndonjë ditë e të mos më hedhë dikush ndonjë fjalë në rrugë. E di se më shumë ju brengosin sesa ju bëjnë për të qesh gjërat që ua tregoj rreth komenteve të çuditshme, njerëzve të çuditshëm, për atë se për të dashurën time dhe mua mendojnë se jemi pederasta. Por unë ende nuk u kam treguar asgjë për njerëzit e frikshëm, për komentet e frikshme, për atë se si na ndjeknin nga pas dhe si shpëtuam vetëm për fat. Nuk ju kam treguar asgjë për tifozët, për frikën, për kërcënimet. Nuk ju kam treguar asnjëherë për atë se sa tmerrësisht u frikësova kur mua dhe tre miqtë e mi na ndoqën tifozët e tërbuar nëpër rrugët e Beogradit me kërcënime për vdekje. Se si më dukej se këmbët i kisha prej plumbi, se si tërë kohës mundohesha të isha mes miqve të mi dhe ato, se si gjithmonë kur jam në situata të tilla më mbushet barku me gurrë, se si zemra më rreh si e tërbuar, se si duart më djersiten. Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është kur dikush në autobus të fut duart nën bluzë “të kontrollojë se çfarë ke nën të”. Nuk ju kam treguar asnjëherë se sa kërcënime për përdhunim, rrahje, therrje kam marrë nga njerëz të panjohur. Nuk ju kam treguar për shuplakat dhe shtyrjet për muri. Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është kur dikush ju lajmëron në telefon se dashuria juaj e parë, mikja juaj, është përdhunuar vetëm sepse ju kanë parë bashkë.

Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është të dëgjosh fjalët “E keni merituar”.

Nuk ju kam treguar asnjëherë se sa shumë kam frikë. Se si më duket ndonjëherë se nuk mundem të marr frymë, se asnjëherë nuk do të mundem, se zemra do më ndalet, se kjo lodhje dhe ky kujdes i vazhdueshëm do më mundin.

Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është kur dikush ju ndjek vazhdimisht. E nuk guxoni t’i tregoni askujt. Nuk ju kam treguar se me vite kam shkuar në shtëpi me çelsat të shtrënguara fort në duar, duke vrapuar nëpër pallat, se pse i bija ziles në atë mënyrë irrituese. Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është t’i besosh dikujt duke mos e ditur se ai person është shumë i rrezikshëm. Nuk ju kam lejuar asnjëherë të kuptoni se si është ndjenja kur jeni të rrëzuar në tokë. Se si është shija e gjakut, lotëve, djersës. Nuk ju kam treguar se zhurma më e tmershme është zhurma e zbërthimit të zinxhirit të pantollonave. Nuk ju kam treguar asnjëherë se si është kur dëshiron të vdesësh, nuk ju kam treguar se si është të bëni dush derisa lëkura të filloj t’u gjakoset. Nuk ju kam treguar se sa tmerrësisht e dhimshme është të heshtësh. Nuk ju kam treguar asnjëherë se për herë të parë, dy vite pas asaj, vendosa mos jem paranojake në lidhje me gjithë njerëzit, se duhet të çlirohem. Nuk ju kam treguar se si dridhesha kur rrotullohej çelsi në bravë. Nuk ju kam treguar se nga kënga “Na zadnjem sedištu moga auta”( Në sediljen e pasme të makinës sime), më vjen për të vjellë. Nuk ju kam treguar asnjëherë si është të merrni një grusht hape dhe ta përcillni me tekila. Nuk ju kam treguar asnjëherë se sa mirë është ndonjëherë të mos dish se çfarë merr. Nuk ju kam treguar se si është ta shikosh vdekjen në fytyrë dhe ti thuash “Nuk dua t’ja di”. Nuk ju kam treguar se nuk më kujtohen vitet e para të shkollës së mesme, dhe si është të heqësh dorë nga çdo gjë dhe të marrësh aq shumë nga të gjitha sa mos të dish më se ç’po ndodh me ty. Dhe se e urreja veten për ato disa javë të kaluara me “atë djalë të mirë”. Nuk ju kam treguar se si mendoja që jam aq e ndyrë sa nuk meritoj të jem më femër, të jem e gëzuar, të jem vetvetja. Nuk ju kam treguar se e dënoja veten dhe se kisha shumë frikë të thosha “jo”. Nuk ju kam treguar se ndonjëherë edhe dajaku edhe toka, edhe qetësia edhe çelësi në bravë, edhe krevati më duken sikur janë e njëjta gjë. Nuk ju kam treguar se si është të biesh, dhe të poshtërohesh. Nuk ju kam treguar se si është ta urresh veten.

Nuk ju kam treguar se për herë të parë kam marrë frymë lirshëm kur i lidha gjinjtë me fashë. Nuk ju kam treguar se si në të vërtet isha e gëzuar kur për herë të parë putha vajzë. Nuk ju kam treguar se si kohëve të fundit për herë të parë kërkova ndihmë profesionale për t’i tejkaluar sulmet e panikut dhe makthet. Nuk ju kam treguar se me Natashën ishte hera e parë që mendova “Kjo jetë ja vlen të jetohet”.

Familje e dashur, e di se frikësoheni. Por edhe unë frikësohem.

Jeta është e rëndë, dhe jeta është e dhimbshme, dhe jeta është e frikshme – sidomos kur jeni gej me gjini neutrale, kur dukeni si unë.

Po të dashurit e mi, unë mbijetova – e pranoj, duke falenderuar inatin e fortë. Dhe çdo ditë zgjohem dhe përballem me botën me kokën lartë sepse e di se e gjithë kjo ja vlen. E di këtë kur në fund të ditës shtrihem pranë saj dhe humbem në ato sy të kaltër. E di këtë kur eci në Paradën e Krenarisë me miqtë e mi gej, trans dhe heteroseksualë. E di këtë në çdo tribunë, në çdo aksion në të cilin marr pjesë. Sinqerisht besoj se mund të jetë më mirë dhe se do të jetë më mirë një ditë.

Familje e dashur, kam frikë se nuk ju mbetet asgjë tjetër përveçse edhe ju ta besoni këtë./A.A.

/lgbtunited.org

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInEmail this to someonePin on Pinterest